Propozimi për një një ligj të ri nga ana e socialistëve ka ngjallur debat të fortë në sallën e Kuvendit.
Partia Socialiste ditën e sotme ka propozuar një projektligj për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale dhe kërkoi të kalojë në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.
Kjo shkaktoi debat në kuvend pasi opozita tha se nuk ishte në dijeni të këtij propozimi. Prandaj seanca u ndërpre për tiu vënë në dispozicion opozitësë propozimi.
Opozita ka kërkuar të njihet me propozimin e 40 deputetëve socialistë për një “ligj për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje“. Ndërkohë kryeparlamentarja Elisa Spiropali tha se “procesverbali është depozituar vetëm 45 minuta më parë” dhe sapo ta ketë nga Sekretaria do ua vërë në dispozicion.
Për këtë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka hodhi akuza ndaj qeverisë se ligji për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje bëhet për vota në prag të zgjedhjeve. Ai u shpreh se ligji është duke u hartuar në këto momente, ndryshe nga ç’pretendoi kryeparlamentarja.
“Zonjë ky këtu është parlamenti i Shqipërisë. Presupozohet që çdo njeri prej nesh është i betuar në Kushtetutë për ti shërbyer interesave të vendit tonë. Të vish këtu, të gënjesh. Kur gënjeni ju live në sy të shqiptarëve, imagjino ç’i keni bërë ligjeve, pronave dhe këtij shteti pas kuintave. Ky moment është mjaft domethënës. Ju the shqiptarëve që është gati dhe nuk kishe kurajo të lexojë asnjë germë sepse nuk është gati. Erion Braçe është në sallën matanë duke e hartuar. Duke e shtypur. E dyta, tani zonjë a mund të më shpjegoni a mos vallë ujku është veshur me lëkurën e qengjit? A ishit ju që i thoshit shqiptarëve që koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Që burgosët 38 mijë shqiptarë pse rregulluan një dritare, apo kotec pulash. A ishit ju që burgostë 38 mijë edhe për 5 mijë lekë të vjetra energji? Tani po i thoni shqiptarëve që po vijnë zgjedhjet se këta ujqër të tërbuar na paskan veshur lëkurën e deles. Pse? Se ju duhet vota”, tha Noka.
Flamur Nokës nga PS, i ktheu përgjigje Pandeli Majko. Ai u shpreh se opozita nuk po bën politikë, por e ka barazuar sjelljen e keqe dhe të paedukatë me të bërit opozitë.
“Unë dua ta falënderoj flamurin që më përmendi emrin. Projektligjet që futen me procedurë të përshpejtuar njoftohen në seancë. Nuk është e shkruar që duhen vendosur mbi tavolinë. Kam kaluar eksperiencën edhe në opozitë. Nëse do ishte projektligj për blerje, shitje, e ku di me radhë kishit të drejtë të bërtisnit. Për ça po flasim? Po flasim për falje gjobash. Nëse do më dëgjoni mua e keni barazuar sjelljen e keqe dhe të paedukatë me të bërit opozitë. Të fyesh zonjë nuk është opozitë, është sjellje e paedukatë. Kaq. Si majtas , si djathtas”, u shpreh Majko.
Edhe deputeti i PD-së Bledion Nallbati deklaroi nga vendi se mazhoranca s’mund të tallet me opozitën duke miratuar “ligje që vijnë me SMS dhe pa u shqyrtuar”.
“Moj zonjë, tani u duk ashiqare se ato fletët e bardha paçavure ishin me firma dhe nuk kishte asnjë projekt-ligj dhe ju nuk mund të talleni. Tju sjellin ligje me SMS dhe ju të na i thoni në moment të fundit. I votojmë para e pastaj i shqyrtojmë!”, tha Nallbati.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali i ndërpreu fjalën duke i thënë se ai projekt-vendim do diskutohet nëpër komisione.
Për deputetin demokrat, është hipokrizi që ky projekt-ligj të vijë 12 vite pasi janë “masakruar qytetarët e thjeshtë me ndërtime të thjeshta në banesat e tyre”.
“Me këtë dhembshurinë e faljes së gjobave na këputët shpirtin me thënë të drejtën, ju që keni 12 vjet që masakroni njerëzit dhe arrestoni hallexhinj që ndërrojnë çatinë e që ndërrojnë një dritare. Tani u kujtuat, vutë dorën në zemër e u bëtë të dhembshur. Ky është një turp i madh dhe nuk ka rob që e ha. Na jepni një mjekim se nuk na mban zemra me këto…Ne patjetër jemi kundër kësaj, kemi 12 vjet që ulërasim për këtë. Turp që i bëni se nuk i beson njeri këto!”, deklaroi Nallbati./ Pamfleti
Lini një Përgjigje