TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Mars 2026, 12:55

Drafti i PS për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, Bardhi: Provokim i njëanshëm, dhunë ndaj pakicës parlamentare

Shkruar nga Pamfleti
Drafti i PS për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, Bardhi: Provokim
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas publikimit nga Partia Socialiste të draftit të ri për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, i propozuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi variantin e mëparshëm.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi e ka cilësuar nismën e mazhorancës si një provokim të ulët dhe një përpjekje për të ndryshuar rregullat e funksionimit të Kuvendit në mënyrë të njëanshme. Ai thekson se rregullorja e Parlamentit nuk mund të trajtohet si një dokument partiak që ndryshohet sipas vullnetit të vetëm një force politike.

“Nëse një palë dikton rregullat e bashkëjetesës në mënyrë të njënashme, atëherë kjo është dhunë e shumicës ndaj pakicës brenda Kuvendit! Bashkëjetesa brenda institucioneve demokratike pamundësohet dhe opozitës i diktohet me forcën e kartonit edhe nëse duhet të flasë apo jo, sa duhet të flasë dhe çfarë duhet të thotë.“, thekson Bardhi.

Sipas tij, imponimi i rregullave nga njëra palë pa dakordësi me opozitën përbën një formë presioni ndaj pakicës parlamentare.

Bardhi shton gjithashtu se veprime të tilla, sipas tij, rrezikojnë të çojnë në defunksionalizimin e Kuvendit dhe të pengojnë opozitën të ushtrojë rolin e saj në jetën politike. Ai rikujton gjithashtu se ndryshimet në rregulloren e Kuvendit në vitin 2012 u miratuan me konsensus mes palëve, një kusht që në atë kohë u kërkua nga Komisioni Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

"Rregullorja e Kuvendit nuk është Statuti i PS, që ndryshohet çdo muaj sipas vullnetit të vetëm një partie politike. Rregullorja e Kuvendit është ligji që garanton bashkëjetesën e të gjitha forcave politike brenda institucioneve demokratike, përcaktuar në mënyrë konsensuale dhe tashmë me rregulla të konsoliduara.

Nëse një palë dikton rregullat e bashkëjetesës në mënyrë të njënashme, atëherë kjo është dhunë e shumicës ndaj pakicës brenda Kuvendit! Bashkëjetesa brenda institucioneve demokratike pamundësohet dhe opozitës i diktohet me forcën e kartonit edhe nëse duhet të flasë apo jo, sa duhet të flasë dhe çfarë duhet të thotë.

Duke dënuar me forcë provokimin e ulët të Grupit Parlamentar të PS përmes propozimit të ri të njëanshëm për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, i rikujtoj se po nxit përmes veprimeve të njënashme, defunksionalizimin e Kuvendit dhe po i pamundëson opozitës përmbushjen e vullnetit të saj për të ushtruar rolin e vet në një shoqëri demokratike.

Rikujtoj po ashtu, që në vitin 2012 ndryshimi vetëm me KONSENSUS i Rregullores së Kuvendit ishte kusht i Komisionit Europian që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat për në BE. Po sot? Sot është kthyer në një leckë me të cilën mazhoranca e korruptuar e Edi Ramës provokon çdo muaj opozitën, edhe kur kësaj të fundit i jep të drejtë njëzëri Gjykata Kushtetuese. Pa asnjë grimcë ndjese, pa asnjë grimcë reflektimi.", shkruan Bardhi.

drafti i ps kuvendi bardhi provokim

Lini një Përgjigje