Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot nga foltorja në Durrës se kryeministri Edi Rama “është si Khamenei” dhe shton se "Rama e ndjen veten diktator”.
Gjatë fjalës së tij para mbështetësve, Berisha akuzoi qeverinë për regjim autoritar dhe paralajmëroi përballje politike të drejtpërdrejtë.
“Me këtë regjim do përballemi drejtpërdrejtë dhe do e rrëzojmë. Rama po përpiqet të na mbyllë derën e Europës, por ai do mbyllet në qeli. Rama do shkojë në burg”, u shpreh Berisha.
Ai e krahasoi kryeministrin edhe me ish-diktatorin Enver Hoxha, duke deklaruar se Rama “është i aftë të bëjë ndaj shqiptarëve ato që ka bërë Enver Hoxha”.
Një pjesë e fjalimit iu kushtua situatës në Durrës. Berisha tha se prej katër muajsh banorët po përballen me prishje banesash dhe dëmshpërblime të pamjaftueshme.
“Ka katër muaj që përballet me banorët në Durrës, të cilëve do t’u rrëmbejë pronën, banesat po prishen pa motiv dhe me dëmshpërblime qesharake. Është një rast ky e raste të tilla janë të shumta”, deklaroi ai.
Berisha premtoi rritje të ndjeshme të pagave dhe pensioneve nëse opozita vjen në pushtet. Ai garantoi se “rrogat do të 2-3-fishohen” dhe se “pensionet do të 2-3-fishohen”.
Sipas kreut të PD, askujt nuk do t’i cenohet prona dhe dëmshpërblimet do të jenë të drejta.
“Ju jap fjalën se Durrësi i ri do të jetë një qytet që do të funksionojë më së miri”, shtoi Berisha.
Lini një Përgjigje