Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në Durrës se infrastruktura rrugore në vend po pëson dëmtime të rënda pa asnjë pasojë ligjore për përgjegjësit. Ai i bëri këto komente gjatë një takimi me qytetarët në kuadër të turit të tij politik.
Berisha tha se disa nga rrugët e ndërtuara vitet e fundit janë shembur në mënyrë të përsëritur. Ai kërkoi që institucionet të hetojnë projektet dhe zbatimin e tyre, duke ngritur dyshime për mënyrën e menaxhimit të fondeve publike.
Në fjalën e tij ai u ndal te aksi Librazhd-Prenjas, i cili qëndroi i bllokuar për disa ditë pas dëmtimeve. Sipas tij, autoritetet ia atribuuan situatën faktorëve natyrorë, ndërsa ai pretendoi se problemet lidhen me cilësinë e punimeve.
Berisha përmendi edhe dëmtime në ura dhe në një tunel, për të cilin tha se institucionet nuk kanë dhënë informacion të plotë. Ai akuzoi qeverinë për lidhje me interesa korruptive dhe për mungesë transparence në projektet infrastrukturore.
Berisha: I keni parë rrugës, si kurrë ndonjëherë, të gjitha rrugët e ndërtuara gjatë këtyre viteve u shembën. U shembën si me qenë ndërtuar me karton. Keni dëgjuar të vihet njeri para ligjit. Askush! Sepse ata që kanë ndërtuar ato rrugë, i kanë ndarë lekët me qeveritarët. Rrugët shemben dhe askush nuk mban përgjegjësi, thonë i shembi natyra. Dhanë leje për të gërryer shtratin e Shkumbinit dhe për të hedhur në lum një rrugë që është të paktën 70-vjeçare, e gërryen lumin, janë shembur rrugët dhe ura. Është shemb dhe tuneli, po e fshehën tunelin. Asnjë përgjegjësi. E them për të kuptuar ju se çfarë armiku kemi përballe, sa të rrezikshëm, sa të lig, sa të pamëshirë. Një lloj përzierje mafie shtetërore me mafiozë të tjerë që rëndojnë mbi shpatullat, trupin tonë që largojnë çdo ditë shqiptarët, i varfërojnë çdo ditë. Sillen si pushtuesit më të këqij që mund të ketë njohur Shqipëria
Lini një Përgjigje