Analisti Frrok Çupi ka shpërthyer ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha
Frrok Çupi deklaroi se reforma në drejtësi nuk ka arritur të vendosë barazinë para ligjit. Sipas tij, procesi nisi me objektivin për të garantuar drejtësi, por nuk prodhoi rezultatet e pritshme. Ai tha se në vend të forcimit të institucioneve, janë krijuar lidhje problematike mes politikës, drejtësisë dhe elementëve kriminalë.
Analisti kundërshtoi vendimet për lirimin e personave të arrestuar pas akteve të dhunës në protestën e Partisë Demokratike. Ai e cilësoi këtë veprim si një mesazh të gabuar për rendin dhe sigurinë publike.
Në të njëjtën intervistë, Çupi drejtoi akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i atribuar atij përgjegjësi politike dhe morale për situatën. Ai e përshkroi zhvillimin e ngjarjeve si përpjekje për marrjen e pushtetit përmes veprimeve të rënda.
Çupi përmendi edhe pretendime për ndikime të huaja në politikën shqiptare, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Rruga e drejtësisë kjo është, u nis për të na dhënë drejtësi dhe drejtësi nuk na dha. U nisëm me drejtësinë për të krijuar raporte të drejta dhe na ndodhi që drejtësia jo vetëm që nuk u vu në vendin e vet, por janë bërë bashkë partia e Berishës, drejtësia dhe krimi. Është drejtuar krejt shtrembër. Po shohim një drejtësi që po liron njerëzit e dhunës, gjë që dëshmon botës se ky është një popull që nuk e dënon dhunën. Kanë kaluar 15 që do dënojnë vrasjen shtetërore dhe akoma nuk e kanë dënuar. Po krijojnë një vend, që këtu do të ketë drejtësi kur të mos ketë më njeri.
Ky ishte një krim në flagrancë, në tentativë. Berisha njësoj i ka kryer krimet, si në opozitë ashtu edhe në qeveri. Berisha nuk është një politikan, por një vrasës. Është një kryengritje për vrasjen në nivelin më të lartë të hierarkisë së shtetit, vetëm për të marrë pushtetin. Kjo është një vrasje në tentativë. Edhe para 35 vjetësh, me gjuhën e drunjtë dhe të papëlqyeshme, Berisha ka përsëri një gjendje negativiteti, flet në paralel vetëm me ngjarje tragjike. Sali Berisha ka antena të çuditshme, ka antenat e huaja. Berisha është një prej aleatëve të Iranit, në Shqipëri ai ka bërë favore”, tha Frrok Çupi në emisionin “Tirana Live”.
Lini një Përgjigje