TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Mars 2026, 14:24

"Bujqësia në rrezik", Tabaku akuza Ramës: Ka braktisur fermerin, rritja e çmimeve po e kthen ushqimin bazë në luks

Shkruar nga Pamfleti
"Bujqësia në rrezik", Tabaku akuza Ramës: Ka braktisur
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar për rritjen e çmimeve të produkteve bazë të shportës, duke e lidhur situatën me mungesën e politikave mbështetëse për bujqësinë dhe fermerët shqiptarë.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, Tabaku u shpreh se frutat, perimet dhe produktet bujqësore janë bërë të papërballueshme për shumë qytetarë, sidomos për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

“Rritja e çmimeve në mënyrë të pakontrolluar i ka kthyer ato në produkte të ndaluara për shumë familje shqiptare”, theksoi ajo, duke ngritur shqetësimin për ndikimin që kjo ka në përditshmërinë e qytetarëve.

Sipas saj, problemi buron nga neglizhimi i sektorit të bujqësisë, i cili përfaqëson rreth 16% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por që përballet me taksa të larta, zhvlerësim të euros dhe mungesë mbështetjeje nga shteti.

“Produktet shqiptare nuk prodhohen më si më parë, ndërsa fermerët janë lënë të mbijetojnë pa asnjë ndihmë reale”, u shpreh ajo.

Tabaku solli edhe shifra për rritjen e importeve, duke deklaruar se në vitin 2021 importoheshin 30 mijë tonë zarzavate, ndërsa aktualisht kjo shifër ka arritur në 70 mijë tonë. Po ashtu, sipas saj, importi i frutave është rritur nga 60 mijë tonë në 100 mijë tonë.

Deputetja argumentoi se këto të dhëna tregojnë një zëvendësim të prodhimit vendas me mallra të importuara, duke shtuar varësinë nga jashtë dhe duke ushtruar presion mbi çmimet në treg.

“Produktet që sot shkojnë në tryezat e qytetarëve vijnë nga jashtë, sepse Shqipëria nuk po prodhon më”, deklaroi ajo, duke akuzuar qeverinë për politika fiskale dhe ekonomike që, sipas saj, kanë ndikuar në këtë situatë.

Në përmbyllje, Tabaku theksoi se sektori i bujqësisë ka nevojë për mbështetje minimale për të rritur prodhimin dhe për të siguruar çmime më të përballueshme për konsumatorët.

“Toka shqiptare prodhon. Fshati shqiptar prodhon. Por bujqësia është në rrezik dhe ky rrezik është transferuar tashmë në rritjen e çmimeve në tryezat e qytetarëve”, përfundoi ligjvënësja opozitare.

Lini një Përgjigje