TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Mars 2026, 10:59

Financimi i partive, Celibashi: 50 për qind e subjekteve të regjistruara, 'fantazma' elektorale

Shkruar nga Pamfleti
Financimi i partive, Celibashi: 50 për qind e subjekteve të
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka shprehur shqetësim lidhur me mënyrën se si realizohet auditimi i financimit të partive politike, duke theksuar se në shumë raste ai kryhet vetëm formalisht.

Gjatë një tryeze konsultimi për reformën zgjedhore, Celibashi bëri të ditur se më shumë se gjysma e partive të regjistruara nuk kanë marrë pjesë në katër proceset e fundit zgjedhore. Ai shtoi se, nga 135 parti të regjistruara, 84 prej tyre nuk kanë dorëzuar raportin financiar për vitin 2024.

“Mbi 50 % e partive të regjistruara nuk kanë marrë pjesë në 4 proceset e fundit zgjedhore. Në 135 parti të regjistruara 84 prej tyre nuk kanë dorëzuar raportin financiar për 2024. Kjo situatë tregon se auditimi realizohet në mënyrë formale, burimet administrative shpërndahen mbi subjekte pa aktivitet politik real. Fokusimi tek partitë me ndikim real politik është i dobësuar”, deklaroi Celibashi.

Ai theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka evidentuar nevojën për të kaluar drejt një modeli auditimi të bazuar në aktivitetin financiar, statusin aktiv të partive dhe përfitimin e fondeve publike.

“Kontrolli financiar duhet të përqendrohet tek partitë me aktivitet financiar real, subjektet që përfitojnë fonde publike dhe rastet me indikator risku. Kjo sipas nesh do të rrisë eficencën e mbikëqyrjes së financave. Ne disa raste partitë politike nuk janë audituar, për shkak të paaftësisë paguese të partive politike. Kjo krijon konflikt interesi dhe cënon pavarësinë e auditimit. Ndaj rekomandohet që audituesi të trajtohet nga KQZ”, tha ai, duke theksuar se “rekomandohet harmonizim i sanksioneve administrative”.

 

Lini një Përgjigje