Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim me akademikë nga Shqipëria dhe Kosova, ku u diskutua mbi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe projektet e përbashkëta në fushën e shkencës dhe albanologjisë.
Në takim morën pjesë Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka Pula, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, si dhe akademikë nga të dyja vendet.
Gjatë bisedës, Kreu i Shtetit përgëzoi drejtuesit e akademive për bashkëpunimin e deritanishëm në projekte që synojnë promovimin e elementëve identitarë kombëtarë dhe adresimin e problematikave bashkëkohore shoqërore.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj vlerësoi si projekt madhor të dy akademive dhe instituteve albanologjike hartimin e “Enciklopedisë së Shqiptarëve”, duke e cilësuar atë një nismë me rëndësi të veçantë për dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare.
Presidenti theksoi rolin thelbësor të akademikëve në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar dhe atij gjuhësor shqiptar. Ai çmoi gjithashtu temat e konferencave të fundit të përbashkëta të organizuara nga dy akademitë, veçanërisht ato që lidhen me demografinë, duke i konsideruar çështje me rëndësi për sigurinë kombëtare.
Në përfundim të takimit, Presidenti i Republikës garantoi akademikët për mbështetjen e tij të vazhdueshme si Kryetar Shteti dhe të institucioneve shqiptare për çdo projekt që synon promovimin e historisë kombëtare mbi bazën e fakteve dhe të vërtetave shkencore.
Lini një Përgjigje