Një grup prej 17 organizatash të shoqërisë civile i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë zyrtare për marrjen e masave disiplinore ndaj deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi. Kërkesa lidhet me gjuhën e përdorur prej saj gjatë seancës plenare të datës 19 shkurt ndaj kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Në letrën drejtuar Kuvendit, organizatat shprehen se deputetja ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese ndaj Bardhit gjatë debatit në sallën e parlamentit.
“Deputetja Zegjine Çaushi përdori gjuhë fyese dhe denigruese ndaj Kryetarit të Grupit Parlamentar, z. Gazment Bardhi, duke përdorur shprehjeve që cenojnë dinjitetin personal dhe bien ndesh me standardet e komunikimit parlamentar të parashikuara në aktet rregullatore të Kuvendit”, thuhet në letër.
Sipas organizatave, rasti i 19 shkurtit nuk është një episod i izoluar, por pjesë e një sjelljeje të përsëritur që bie ndesh me etikën parlamentare. Për këtë arsye, ato kërkojnë që ndaj deputetes të merret masa disiplinore e “vërejtjes”.
Në argumentimin e tyre, organizatat theksojnë se masa e “tërheqjes së vëmendjes” nuk është më një reagim proporcional në raport me natyrën dhe frekuencën e shkeljes.
“Kjo kërkesë nuk synon kufizimin e debatit politik, por garantimin e kufijve etikë që e bëjnë debatin demokratik, konstruktiv dhe në përputhje me dinjitetin e institucionit të Kuvendit. Kërkojmë nga mediat të luajnë rolin e tyre edukues dhe të raportojnë me përgjegjshmëri, duke mos ui bërë jehonë e gjuhës së urrejtjes, por të kontribuojnë në ngritjen e standardeve të komunikimit publik, duke promovuar gjuhë të kujdesshme, analizë të balancuar dhe respekt për vlerat themelore të demokracisë dhe barazisë”, thuhet në letër.
Debati në seancën e 19 shkurtit
Debati që solli reagimin e organizatave u zhvillua gjatë seancës parlamentare të 19 shkurtit. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u përfshi në replika me disa deputetë të shumicës, mes tyre edhe me deputetin socialist të Fierit, Erion Mile.
Polemikat nisën pas akuzave të Bardhit ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Gjatë diskutimit në sallë reagoi edhe deputetja Zegjine Çaushi, e cila gjatë zgjedhjeve të 11 majit kishte qenë kundërshtare politike e Bardhit në qarkun e Fierit.
Në fjalën e saj në seancë, ajo iu drejtua Bardhit me këto fjalë:
“Ti erdhe në Fier për të pirë xhini o yll bote. Atje në 2 të natës për të shkëlqyer sytë xixa, gjithashtu dhe për të ngrënë qofte te lokali i lagjes. Për këtë erdhe ti. Ty nuk pati fierak të të hapte derën”.
Pas këtij episodi, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë nga Kuvendi të shqyrtojë sjelljen e deputetes dhe të marrë masa disiplinore në përputhje me rregulloren parlamentare.
"Organizata Civile" banale-Nuk shikoj asgje fyese ose jo etike dhe eshte detyre e kujtdo (deputet etc) te denigroje (perkthyer- te kritikoj ashper) kedo. Dinjiteti the respekti eshte detyre e personit te kritikuar ti mbroje, kritikuesi nuk do marri leje nga pala tjeter per fjalet qe do perdori, persa kohe ato nuk jane offenduese ne vetevete.. (Si p.sh. Kafshe, Qorr, Kriminel etc.) Megjithate nuk do votoja kurre nje deputete se Zegjineja qe nuk ka pregatitjen e duhur per nivelin e deputetit por ajo nuk eshte vetem atje.