Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për mungesë reagimi ndaj situatës së qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Lindjen e Mesme, në një kohë kur tensionet në rajon janë përshkallëzuar pas sulmeve ndaj Iranit.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Shehu shprehet se qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të ndihmuar apo për të riatdhesuar shqiptarët që ndodhen në zonën e konfliktit. Sipas tij, edhe kërkesa për të diskutuar këtë çështje në Komisionin e Jashtëm nuk është pranuar nga mazhoranca.
Deputeti demokrat thekson se, sipas informacioneve që ka marrë, në atë rajon ndodhen mbi 3 mijë shqiptarë, rreth 2 mijë prej tyre rezidentë për studime apo aktivitete profesionale, ndërsa rreth 1 mijë janë turistë.
Shehu shton se institucionet shqiptare nuk kanë dhënë informacion publik për situatën dhe, sipas tij, nuk ka pasur as komunikim me familjarët e qytetarëve që ndodhen në zonën e konfliktit. Ai kërkon që qeveria të marrë masa të menjëhershme, përfshirë nxjerrjen e një vendimi për riatdhesimin e tyre, aktivizimin e Njësisë së Krizës pranë Ministrisë së Jashtme si një task-forcë ndërinstitucionale dhe miratimin e fondeve të nevojshme nga Këshilli i Ministrave për realizimin e operacioneve të evakuimit.
"Qytetarët shqiptarë të braktisur nga Qeveria në mes të luftës në Lindjen e Mesme. Është i vetmi kryeministër, e vetmja qeveri në Europë, që i ka lënë shqiptarët, të cilët ndodhen në atë zonë, pa asnjë mbështetje.
Nuk informon as opinionin këtu për këtë çështje kaq të rëndësishme. Askush nuk vjen të diskutojë as në Parlament problemin dhe masat… Kjo maxhorancë nuk pranoi që kjo çështje të diskutohet në Komisionin e Jashtëm, pasi unë e kërkova këtë veprim. Sipas informacioneve indirekte, në atë zonë ndodhen aktualisht mbi 3000 qytetarë shqiptarë.
Rreth 2000 janë rezidentë për studime, aktivitete profesionale etj. Rreth 1000 janë turistë. Ka burra, gra e fëmijë, familje të tëra, të gjithë në vështirësi. Ndërsa ky regjim flet vetëm për ato masa që kanë marrë qeveritë e atyre vendeve ndaj të huajve të bllokuar.
Asgjë e realizuar drejtpërdrejt nga shteti shqiptar, i cili shumicën dërrmuese atje as i ka kontaktuar, as e di ku ndodhen; nuk ka asnjë databazë zyrtare. Asnjë komunikim i institucioneve tona me familjarët e tyre. Asnjë strukturë ndërqeveritare nuk është ngritur për këtë urgjencë njerëzore. Vetëm deklarata se evakuimi është i pamundur.
Edhe kjo është një gënjeshtër! Italia dje evakuoi disa qindra qytetarë të saj me rrugë ajrore. Sepse Italia, që ka rreth 10 000 qytetarë në atë zonë, po punon e përpiqet për ta.
Është vënë në aktivitet Njësia e Krizave pranë Ministrisë së Jashtme, janë dërguar të deleguar në terren, komunikohet dhe informohet publiku. Ministrat italianë çdo ditë raportojnë në Camera, Senat, komisione dhe në publik.
Kjo po ndodh edhe me shtetet e tjera europiane. Vetëm në Shqipëri ka heshtje, inaktivitet, indiferentizëm për qytetarët e saj.
Udhëtimi privat i mundshëm prej andej në Tiranë arrin një kosto 10 000–15 000 euro për person, sepse shteti nuk bën asgjë për të organizuar evakuimin.
Braktisje e plotë kjo, lënie në mëshirë të fatit për shqiptarët!
Ndërkaq, gjendja e krijuar atje kërkon: Vendim të K.M. për masa urgjente riatdhesimi. Aktivizimin e Njësisë së Krizave pranë Ministrisë së Jashtme si një task-forcë ndërinstitucionale. Miratimin e fondeve përkatëse nga K.M. për këto operacione.", shkruan Shehu.
Lini një Përgjigje