
“Edi Rama nuk ka interes të bëjë asnjë reformë që i shërben qytetarëve shqiptareve”, kështu është shprehur deputeti i PD-së, Gazment Bardhi lidhur me deklaratat e bëra sot nga kryeministri, për reformat të cilat kërkojnë 84 vota në Parlament.
Sipas tij pranimi nga ana e Ramës, se po mban peng me qëllim Komisionin e Reformës Zgjedhore, tregon mendësinë e tij për të udhëhequr në mënyrë antidemokratike.
Më tej ai shtoi se deklaratat e sotme të kryeministrit, sipas tij kanë vërtetuar edhe njëherë sesa e drejtë është beteja e opozitës në Kuvend.
"Edi Rama nuk ka interes të bëjë asnjë reformë që i shërben qytetarëve shqiptareve. Pohimi në publik se po djeg me vetëdije Komisionin e Reformës Zgjedhore që të mos u japë shqiptarëve një reformë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse që garanton standardet minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme, tregon edhe njëherë mendësinë e rrezikshme antidemokratike që ka Kryeministri i Shqipërisë për të mbajtur pushtetin me mjete antidemokratike.
Deklaratat e sotme të Edi Ramës provojnë edhe njëherë sesa e drejtë është beteja e opozitës në Kuvend. Shqipëria ka nevojë për një Reformë Zgjedhore reale, konsensuale dhe gjithëpërfshirëse që adreson të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe që krijon kushtet e barabarta të garës reale për çdo palë politike në zgjedhje", thuhet në reagimin e Bardhit.
Lini një Përgjigje