TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Janar 2024, 16:03

Rama skenar për të kaluar i vetëm “zgjedhoren” dhe ligjet me rëndësi, sinjal pazaresh për 84 vota!

Shkruar nga Pamfleti
Rama skenar për të kaluar i vetëm “zgjedhoren” dhe
Rama me gazetarët

Rama foli para gazetarëve pas mbylljes së mbledhjes së qeverisë në Lezhë, ku u shpreh hapur se do nxjerrë jashtë loje komisionin bipartizan për reformën zgjedhore...

Kryeministri Edi Rama ka dhënë sot sinjale të qarta se vendi ynë po shkon drejt “partisë shtet”. Kjo do të thotë se vetëm PS është ajo që vendos, udhëheq, voton apo firmos.

Parlamenti ka disa muaj që është në kaos dhe Rama ka paralajmëruar se mund të nxjerrë jashtë loje opozitën, duke tentuar të kalojë reforma thelbësore i vetëm, me ndihmën e votave të “blera”.

Ai foli para gazetarëve pas mbylljes së mbledhjes së qeverisë në Lezhë, ku u shpreh hapur se do nxjerrë jashtë loje komisionin bipartizan për reformën zgjedhore dhe do e miratojë vetë këtë reformë. Po ashtu ai dha sinjale të qarta se do të jetë në kërkim të pazareve për 84 vota, duke i vënë vulën autoritarizmit.  

Kemi parë si në një sallë me 1600 karrige, ata numëronin mbi 5 mijë vetë, martirizim aritmetik i konsiderueshëm. Nuk numërojmë dot 84 veta në 70 e kusur karrige që kemi në parlament, për 84 vota duhen 84 karrige, kështu që sigurisht që për të arritur numrin magjik, duhet të gjesh rrugë ndërveprimi. Që do të thotë, solla shembull Parlamentin italian apo grek, që bëjnë shpesh reforma elektorale, s’kanë komisione bipartizane…

Sigurisht do ishte mirë të bëhej me komision, por problemi është që komisioni bipartizan bëhet me dy palë partizanë, këtu kemi një palë partizanë dhe ballistë, që tani mund të jenë bërë 3 ballistë. Nëse deri në fund të procesit, do të ketë vullnet, bujrum. Nëse jo ndërrojmë faqen dhe vazhdojmë faqen e re pa komision, ka mënyra të tjera. Siç bëjnë të tjerët në Europë”, tha Rama.

“Pamfleti” e paralajmëroi një ditë më parë se Rama ka dhënë udhëzime në takimin e Lezhës që të bëhen përpjekje për të siguruar 84 vota. Janë disa ligje me shumicë të cilësuar të bllokuar dhe ai ka kërkuar që të mos kërkohet më asnjë konsensus, por të sigurohen metoda të tjera që ligjet të miratohen. Pra me pak fjalë, ka kërkuar që të bëhen pazare dhe të “blihen” vota në sallë. Gazetarët shkuan përtej duke e pyetur nëse do të jetë grupi i Bashës ai me të cilin do të bashkëpunohet, por Rama ironizoi duke thënë se ai në këtë orë është në gjumë dhe nuk duhet shqetësuar.

Lini një Përgjigje