TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Janar 2024, 21:00

Mbledhja e qeverisë në Lezhë/ Rama drejt “pazarit” me Bashën? Kërkon 84 vota në Kuvend

Shkruar nga Pamfleti
Mbledhja e qeverisë në Lezhë/ Rama drejt “pazarit” me
Foto nga mbledhja në Lezhë

Në kushtet kur opozita është në betejë për të bllokuar seancat, Rama ka orientuar drejtuesit e grupit që të përpiqen të gjejnë fraksione të opozitës ku mund të ketë vend për bashkëpunim...

Të tjera detaje janë zbuluar nga mbledhja e qeverisë në Lezhë. Kryeministri Edi Rama mblodhi sot aty ministrat, drejtorët dhe drejtuesit e qarqeve, për të bërë një bilanc të punës që lamë pas. Para se ministrat të raportonin, ka mbajtur një fjalë Rama, i cili ka dhënë një sërë porosish.

Por mësohet se kryeministri duket i vendosur për të mos bërë asnjë lëshim lidhur me kërkesat që vijnë nga kampi i Sali Berishës. Rama ka porositur të vetët që të bëjnë opozitën e qeverisë, pasi sipas tij nuk ka opozitë. Por janë dhënë sinjale se Rama mund të shkojë drejt një pazari me Lulzim Bashën.

Në konferencën që pati në fundvitit me gazetarët, Rama u pyet për reformën zgjedhore dhe ligjet me shumicë të cilësuar, por ai dha sinjale se nuk do punojë për konsensus, por mjafton të sigurojë numrat e nevojshëm.

Në kushtet kur opozita është në betejë për të bllokuar seancat, Rama ka orientuar drejtuesit e grupit që të përpiqen të gjejnë fraksione të opozitës ku mund të ketë vend për bashkëpunim. I vetmi grup që mund t’i sigurojë Ramës vota e nevojshme është ai i Lulzim Bashës dhe sinjalet janë se mund të shkohet drejt pazarit të radhës.

Por cilat janë çështjet për të cilat Rama kërkon 84 vota?

Një prej këtyre ligjeve është amnistia penale, e cila mbërriti në Parlament në fillim të dhjetorit dhe nga e cila përfitojnë ulje dënimi apo liri rreth 600 persona.

Një ligj tjetër që mbeti në Parlament është drafti që rrit pagat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në 6.4  milionë lekë, i cili sërish kërkon konsensusin e 84 deputetëve, në një kohë që mazhoranca numëron vetëm 77.

Në klimën e tensionuar politike në Parlament nuk po diskutohet më as për Avokatin e Popullit. Erinda Balancës i ka mbaruar mandati para 19 muajsh, por zgjedhja e pasardhësit të saj duket gjithnjë e më vështirë për një figurë që duhet të ketë konsensusin e opozitës dhe mazhorancës.

Projektligji për shtetësinë mori miratimin  e opozitës në seancën e 21 shtatorit para se të niste aksioni për bllokimin e parlamentit, por presidenti e ktheu për rishqyrtim dhe duhen sërish 84 vota.

Më e rëndësishmja është ndërhyrja në Kodin Zgjedhor, ku duket një proces i pamundur nëse nuk sigurohen 84 vota. Mbetet të shihet nëse Rama do e hedhë “grepin” te Basha” dhe nëse ky i fundit do pranojë.

Lini një Përgjigje