
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka dalë nga ambientet e SPAK pas tetë orësh e gjysmë.
Në një prononcim për mediat, Beqaj u shpreh se seancat e marrjes në pyetje do të vijojnë pasi çështja është komplekse.
Ish ministri tha se hetimet për koncesionin e sterilizimit janë ende të ngushta dhe se ato duhet të ndahen në dy faza, ajo nga marsi i 2011 deri në shtator 2013 kur u ngrit qendra e sterilizimit pranë QSUT-së dhe që s’u vu asnjëherë në punë dhe përfitimet e koncesionit.
Në këtë mënyrë, Beqaj tentoi të justifikonte aferën me sterilizimin teksa tha se hetimet duhet të fillojnë që në kohën kur ish kryeministri Berisha ishte në pushtet. Por ai konfirmoi atë që shkroi "Pamfleti" sot, se kërkon hetimin e Ogerta Manastirliut. Ai u shpreh se duhet të heteohet se si u zbatua koncesioni. Ministre pas tij ishte Manastirliu.
Ai tha më tej se mori konfirmim nga prokurorët se do t’i kthehen sendet e sekuestruara në kuadër të hetimit që po bëhet për këtë çështje.
“Siç keni vënë re dhe ju janë disa seanca të gjata pyetjesh. Çështja është komplekse edhe sot nuk përfunduam seancat e pyetjes. Pritet të kemi dhe raportet e KLSH.
Besoj se hetimet janë ende shumë të ngushta është e domosdoshme që të shtrihen në dy pjesë nga marsi i vitit 2011 deri në shtator të vitit 2013. Janë bërë tetë vjet nga zbatimi i kontratës.
Sot me prokurorët komunikuam dhe më thanë se do kem shpejt ato sende që mu sekuestruan. Dy dokumentet e një udhëtimi jashtë shtetit që sot i mora. Sot u sqarua edhe fakti që Gazi dhe aneksi tetë kanë lidhje me sterilizimin dhe s'kanë lidhje me çështjen tjetër”, u shpreh Beqaj.
Ish-ministri Ilir Beqaj u paraqit në SPAK që në mëngjes, rreth orës 09:00, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.
Lini një Përgjigje