
Bardhyl Reso, i cili ka qenë ndër 13 anëtarët e parë të Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike dhe deputet i Kuvendit të parë Demokratik pluralist postkomunist komentoi situatën politike në vend. Në një intervistë për "Dritare", u shpreh i zhgënjyer nga Prokuroria e Posaçme pasi thotë se veprimet që bën SPAK i duken shumë të ngadalta. Bardhyl Reso paralajmëron gjithashtu se siç i erdhi fundi Berishës, do t’i vijë edhe Ilir Metës, apo Edi Ramës.
-Zoti Reso, ne këtu në Shqipëri merremi vetëm me politikë, mbase sepse nuk kemi guxim të merremi me probleme të tjera që ka jeta, si mendoni?
Doja që këtë vit ta filloj analizë politike duke pasur parasysh raportin me të vërtetat. Nëse ne i themi gënjeshtrat si janë edhe gabimet do ti kemi më të vogla. Shumë njerëz duan që të marrin përsipër që të bëhen heronjtë e historisë së demokracisë në Shqipëri. Në vitet 1990 për herë të parë doli një artikull: “Në kërkim të kohës së humbur”. Sepse ai artikull ka qenë shkruar me porosi dhe dua të vërtetojë ato që kam thënë se dirigjimi i ndryshimeve drejt demokratizimit të jetës politike ka qenë i dirigjuar dhe dirigjenti i tij është Ramiz Alia.
-Ambasadori i ri amerikan që do të vinte në Shqipëri nuk është miratuar nga Senati amerikan, cilat mendon se mund të jenë arsyet?
Është shpejt që ne te japim një gjykim apo opinion për faktin se ai është një diplomat i vjetër. Shqipërinë ai e njeh mirë sepse ka shërbyer në detyra të ndryshme. Arsyet e vërteta se përse ai nuk është miratuar, mund të jenë të shumta. Disa mund të mendojnë që Sali Berisha ka ndikuar në Senatin Amerikan, me ata njerëzit përkrahës që mendon ai se ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por që në fakt nuk ka asnjë. Me siguri kështu do ta komentojnë pasuesit e tij. Mund të ketë dhe arsye të tjera. Mbase në Amerikë u zhvillua dhe procesi McGonigal dhe ai u dënua. Kostelancik ka qenë në Shqipëri, por mbase në kohën që ka qenë edhe McGonigal. Dyshoj se mund të kenë ndonjë lidhje, ose mosinformim nga ana e tij se me siguri kur ka qenë në Shqipëri duhet të ketë mbuluar problemet e shërbimeve të fshehta amerikane. Ky është mendimi im nisur nga pozicionet që ka pasur gjatë kohës që ka punuar në Ambasadën Amerikane në Shqipëri.
-A përbën më ish-kryeministri Sali Berisha faktor politik sot, si mendoni?
Sali Berisha është kufomë politike që nuk ka asnjë vlerë për t’u diskutuar, edhe pasuesit e tij janë njerëz pa asnjë integritet politike. Ai nuk përbën asnjë faktor politik në Shqipëri. Janë mediat që i kanë shërbyer Berishës dhe kanë detyrime për të, ata që i japin zë. Gabimi më i madh është kur identifikojnë Partinë Demokratike me Sali Berishën, më vjen keq se e bëjnë gazetarë me shumë përvojë. Në politikën shqiptare është një falsitet i tejskajshëm i politikanëve. Të shohësh se ça thotë Bardhi këto ditë është qesharake. E ardhmja e politikës shqiptare është në një udhëkryq që nuk di kush mund ti jap ndonjë parashikim të saktë. Rama e nxit këtë situatë politike në Shqipëri. Edhe situatën që ndodh në parlament duket sikur e pranojnë edhe socialistët sepse në këtë mënyrë denigrojnë ehe opozitën. Kryetarja e parlamentit mund të vendoste një rregull, por atyre i intereson. Unë them se s’ka asnjë mundësi për një njeri që nuk ka asnjë lidhje me asnjë nga ndërkombëtarët dhe s’ka asnjë mbështetje edhe nga partia e tij, pjesa më e madhe e tyre shkojnë pas tij sa për formë.
-Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kreun e SPAK pak ditë më parë, ku tha se ai ka pasur informacione që do eliminohej kreu i Bashkisë së Hasit, ndërkohë ky i fundit deklaroi se kjo nuk është e vërtetë, si të duken këto akuza që ai ka bërë në drejtim të tij?
Fantazitë e tij s’kanë fund. Ai për ato që thotë i ka të gjitha gënjeshtra. Çfarë ka realizuar ai nga ato që ka thënë? Ai është ideatori i shkatërrimit të vendit deri në vdekje. Është një njeri që për interesat e pushtetit dhe familjes së tij do të sakrifikoj çdo gjë. Ka vetëm 100 shërbëtor që i ka mbajtur në mënyra të ndryshme kur ka qenë në pushtet, nuk ka asnjë pasues të tij. Kush do ta pasojë Noka apo Boçi. Edhe pastaj ngel Argita.
-Si e sheh fatin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe atë të kryeministrit Edi Rama, pasi ish-kryeministri Sali Berisha të largohet përfundimisht nga politika?
Të gjithë do të kenë një fund. Sali Berishës i erdhi fundi. Duhen njerëz të rinj dhe mendësi të reja. Do forcohen oligarkët dhe pasurohen politikanët nëse vijohet kështu. Në drejtim të drejtësisë diçka po bëhet. Drejtësia është njëri pushtet dhe është i rëndësishëm, por duhet të kemi parasysh që politikanët shqiptar nëse nuk çpasurohen janë akoma shumë të fuqishëm e blejnë edhe drejtësinë. Edhe veprimet që bën SPAK më duken shumë të ngadalta. Kur SPAK të përgatit urdhrin e arrestit do të thotë se ai e ka dosjen e mbyllur, pse duhet që të vonohet gjykimi pastaj. Deri tani ne nuk kemi asnjë rezultat pavarësisht dosjeve që janë përgatitur. Po këtu duhej vetëm një komision i madh që të verifikonte pasuritë e tyre që janë të korruptuar. Atëherë i morën pasuritë njerëzve që i fituan me djersë dhe këta ia kanë vjedhur.
-Si e sheh Partinë Demokratike në vitin 2024?
Sot zhvillimi politik në Shqipëri, handikapi më i madh është që ne nuk kemi opozitë. Edi Rama fle rehat, Saliu rri pa gjumë dhe qan hallin e atyre që flenë. Duhet që të ndërrohet mendësi që nga forma e organizimit të Partisë Demokratike dhe të hiqet ideja e liderit. Besimin e kam tek njerëz të rinj që e shohin se Shqipëria në këtë rrugë që ka hyr po bëhet shtet. Nëse nuk aktivizohen të rinj nëse nuk ndryshojnë ato mendësi më duket e vështirë që të krijohet një parti që të bëhet rotacion.
-Për Kosovën ky vit nisi me lajme shumë të mira si ishte liberalizimi i vizave, mendon se pasi u liberalizuan vizat tashmë mund të ketë një emigrim masiv të qytetarëve për tu larguar nga vendi i tyre, pasi tani që mund të lëvizin lirshëm në Europë?
Edhe atje do ketë një fluks lëvizje. Por ata e kanë pasur emigracionin shumë më të vjetër se Shqipëria, por pavarësisht kësaj kanë një lidhje të fortë me vendin e tyre. Shqiptarët në Kosovë nuk e kanë humb pronën. Tani edhe Gjermania edhe Anglia po e kuptojë rolin e Kosovës në Ballkanin Perëndimor. Më duket se europianët janë më afër bindjes se Kosova do stabilitet dhe nuk është Kosova ajo që mund të prish stabilitetin në Ballkan, por është Serbia. Por, pikësynimi jonë duhet që të jetë që ne duhet që të arrijmë të bëhemi një komb i vetëm, në një shtet. Kjo do ta rriste rolin e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.
Lini një Përgjigje