Lufta fizike aty nuk bëhet për asnjë problem të natyrës filozofike apo konceptuale. Bëhet për një problem që ju e dini të gjithë. Një problem njerëzor por jo i kësaj shoqërie dhe i këtij populli, problemi me drejtësinë i një individi...
Kuvendi duket se do të jetë në kaos edhe këtë vit. Mazhoranca duket e vendosur për të mos negociuar me opozitën duke i dhënë ushqim grupit të Sali Berishës që të vijojë tymueset dhe përplasjet në sallën e seancave dhe komisioneve. Edhe pse lideri i tyre është nën arrest, ata kanë paralajmëruar se do të vijojnë skenarët bllokues.
Rama u pyet mbi mundësinë e gjetjes së një emëruesi të përbashkët me opozitën dhe po ashtu nëse është gati të heqë dorë nga ligji për komisionet hetimore nëse presidenti e kthen për rishqyrtim. Rama ishte kategorik, duke thënë se ligji nuk ndryshon, teksa po ashtu e bëri të qartë se nuk ka dialog me ta.
“Jo nuk ulemi, ligji për komisionet hetimore është bërë i bazuar nga modeli bazë nga i cili u ndërtua ai ligj që në fillim. Modelit gjerman i janë hequr komponentë shumë të rëndësishëm, nuk e negociojmë me një grup shqiptarësh që kanë humbur modelin dhe janë në kërkim të modelit të tyre”, tha Rama.
Rama tha se Kuvendi nuk është një ‘olimpiadë’ fizike dhe se në të ndeshesh me argumente dhe jo me grushte. Ai u shpreh hapur se edhe në këtë sesion PS do shkojë, do votojë ligjet dhe do të largohet.
“Kjo pyetje nuk është për mua, qasja ndaj Parlamentit është e përcaktuar qysh kurse grekët e lashtë ndërtuan skenën e parë të shkëmbimit të opinioneve dhe hapën siparin e historisë së demokracisë. Në atë skenë nuk përfshiheshin mundja, boksi dhe aktivitetet me natyrë fizike. Grekët ishin atletë dhe i kishin sportet në qendër të vëmendjes por kishin pista atletike për aktivitete fizike dhe kishin skenën e debatit demokratik për aktivitetin mendor. S’më rezulton që gjatë historisë së këtij parlamentarizmi të ketë patur ndryshim. Të jetë pranuar bashkëjetesa e sporteve fizike me ushtrimin e të drejtës së fjalës. Në parlament do qasemi siç janë qasur grekët romakët britanikët”, tha Rama.
Nga ana tjetër ai tha se e gjitha kjo bëhet për hallet e Berishës, teksa e ironizoi që del përnatë në dritare. Kryeministri tha se problemi i Sali Berishës me drejtësinë nuk është problem i popullit shqiptar dhe se Parlamenti nuk duhet të ndikohet nga ky proces.
“Lufta fizike aty nuk bëhet për asnjë problem të natyrës filozofike apo konceptuale. Bëhet për një problem që ju e dini të gjithë. Një problem njerëzor por jo i kësaj shoqërie dhe i këtij populli, problemi me drejtësinë i një individi që ka kaluar nga parlamenti në ballkon dhe pret nga parlamenti përplasje. Siç prisnin ata në Romë, ata që rrinin atje në Lozhë dhe skllevërve të tyre u thonin përplasuni me luanët. Por ne nuk jemi as skllevër dhe as luanë, jemi përfaqësues të shumicës që bëjmë punën tonë. Do të ndezësh flakën në parlament? Ndize. Do të përdoresh gjithë arsenalin e gojës? Përdore! Por asgjë nga ato që kërkon nuk ke shans, jo t’i marrësh, por as të dëgjohesh nëse nuk i jep kohë tjetrit të flasë. Nuk e di kur, por dhe kjo do marrë fund dhe nuk do ta përdorë njeri më vonë. Nuk të çon askund. Të çon poshtë ballkonit po, je i lirë ta bësh!!”, shtoi kryeministri.
Lini një Përgjigje