
Deputetja demokrate Jorida Tabaku shprehet se pavarësisht dallimeve mes mazhorancës e opozitës në vend, proçesi i integrimit nuk duhet të ndalet. Sipas saj shembulli më i mirë për këtë është rezoluta mes mazhorancës dhe opozitës e miratuar një ditë më parë në Këshillin e Stabilizim Asociimit nga Bashkimi Europian.
“Në qoftë se kolegët flasin në Tiranë ashtu siç folën në Bruksel unë mendoj që gjërat do ti kishim zgjidhur më parë. Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm, e presim në javët në vijim që të hapen dy kapitujt e negociatave që tashmë të gjithë e dinë janë bllokuar për një çështje bilaterale me Greqinë dhe rezoluta e përbashkët, qëllimi ynë ishte që të jepnim një mesazh që pavarësisht mosdakordësisë që ne kemi, problemet që po kalon Shqipëria, proçesi i integrimit nuk duhet të ndalojë”, ka thënë Tabaku.
Sipas Tabakut çështjet më të rëndësishme të rezolutës janë reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse, jeta parlamentare dhe monitorimi i institucioneve të drejtësisë.
“Aty u reflektua në rekomandimet e përbashkëta është jo normale kur ne diskutojmë për një rrugëtim të Shqipërisë në proçesin e integrimit, jo gjithmonë të na dalin diskutime të tilla. Një herë del ligji i amnistisë fiskalë, pastaj pasaportat e arta, tani del grupi i punës së organeve të pavarura të drejtësisë. Ky është uzurpim i funksioneve që ka edhe komisioni i integrimit edhe komisioni i ligjeve. Iniciativë që nuk shkon me frymën e marrëveshjes së stabilizim asociimit”, ka thënë demokratja Tabaku në një intervistë për Top Channel.
Rezoluta e re e dakordësuar në Parlamentin Europian u bën thirrje deputetëve shqiptarë që të rikthejnë normalitetin në Kuvend si dhe kërkon që reforma zgjedhore të jetë gjithpërfshirëse.
Lini një Përgjigje