TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Shtator 2024, 22:14

Caktimi i drejtuesve politikë "ndez" PD, debate të forta në Kryesi; besnikët e Berishës të irrituar me Bardhin

Shkruar nga Pamfleti

Caktimi i drejtuesve politikë "ndez" PD, debate të forta

Besnikët e Berishës të irrituar me Bardhin lidhur me heshtjen për izolimin e doktorit....

Caktimi i 12 drejtuesve politikë në qarqe ka ndezur debate në PD. Luan Baçi, Edmond Spaho dhe Tomor Alizoti u lanë jashtë dhe kjo ka nxehur gjakrat. Mësohet se Baçi dhe Spaho kanë shprehur pakënaqësi në mbledhjen e Kryesisë që po zhvillohet me dyer të mbyllura. Kjo ka bërë që deputeti i Fierit të largohet nga mbledhja. 

Baçi u shfaq në një emision ku u shpreh se emrat ishin të paracaktuar. Sipas tij është anormale që emrat dalin që disa ditë në media, ende pa marrë vendim Kryesia. Duhet theksuar se Baçi u shfaq kritik edhe pak ditë më parë.

Po ashtu në krah të tyre ka dalë Edith Harxhi. Kjo e fundit dhe disa të tjerë kanë goditur Bardhin, duke e akuzuar se nuk ka bërë asnjë hap në mbrojtje të Berishës.

Ajo ka kritikuar listën e drejtuesve politikë të qarqeve, duke theksuar se është turp që nuk ka të paktën një qark me një drejtuese grua.

Është për të ardhur turp, që gjithë kjo parti nuk ka një zonjë për të drejtuar një qark. Jemi kthyer në parti burrash, jemi bërë për turp”, tha Harxhi.

Më pas ju drejtua Bardhit: “Përse nuk keni bërë asnjë lëvizje apo aksion si grup parlamentar për lirimin e liderit të Partisë Demokratike? Nuk mund të mjaftohemi me dy letra kancelarive. Duhet një aksion, lideri i partisë po mbahet politikisht në arrest shtëpie”.

Në të njëjtën linjë me të kanë qenë dhe disa besnikë të tjerë të Berishës, të cilët kërkojnë që aksioni opozitar të fokusohet te “mbajtja pa të drejtë e kryetarit në izolim”.

Kryesia e Partisë Demokratike ka zgjedhur 12 drejtuesit politikë në qarqe. Nuk është se pati shumë surpriza te emrat që u zgjodhën, pasi shumica diheshin. Luçiano Boçi u zyrtarizua në Shkodër, duke lëvizur nga Elbasani. Aty ku duket se drejtues do të jetë Ervin Salianji.

Gjekmarkaj, Bylykbashi dhe Bujar Leksaj mbetën te qarqet e tyre, pra Durrës, Lezhë dhe Vlorë. Dibra ju besua Xhela Mziut, ndërsa Kukësi Flamur Hoxhës.

Ajo që bie në sy është se në Korçë ka shkuar Ivi Kaso, duke spostuar Edmond Spahon. Në Berat ka shkuar Eno Bozdo, duke spostuar Tomor Alizotin. Ndërsa në Fier ka shkuar Gazmet Bardhi, duke spostuar Luan Baçin.

Vetë Berisha mori pjesë në mbledhje përmes një videokonferece. Ai kërkoi më shumë organizim, teksa tha se Kryesia e PD mblidhet në një moment vendimtar në historinë e saj, mblidhet në një moment kur kjo Kryesi duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje