TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Shtator 2024, 19:08

“SPAK të hetojë”, Basha për marrëveshjen e Bashkisë Elbasan me Kurum: Ripërsëritje e skemës hileqare të uzinës së Ballshit!

Shkruar nga Pamfleti

“SPAK të hetojë”, Basha për marrëveshjen e

Ish kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se marrëveshjen e kompanisë “Kurum” me kryebashkiakun e Elbasanit, Gledian Llatja, para zgjedhjeve është një skemë mashtrimi.

Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Basha shprehet se ky pakt është e njëjtë me skemën mashtruese të pak viteve më parë, me punonjësit e rafinerisë së Ballshit.

Më tej ai theksoi se gjithçka po bëhet për të mbuluar skandalin e mbetjeve toksike, ku deklaratat e qeveritarëve treguan se është vepruar si një organizatë kriminale, për të cilën SPAK duhet të hetojë.  

Për sa kohë do të jenë të punësuar punonjësit e Kurum?  Çfarë do të ndodhë me ta pas zgjedhjeve?  Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje dhe garanci sot.  Ajo që u servir për mediat ishte e njëjtë me skemën mashtruese të pak viteve më parë, me punonjësit e rafinerisë së Ballshit.

Edhe atyre u premtuan në prag të zgjedhjeve - punë, paga, mbështetje, por pas zgjedhjeve i hodhën në rrugë. Edhe pseudo negociatat e sotme mes Kurum dhe përfaqësuesve të Edi Ramës janë ripërsëritje e skemës hileqare të uzinës së Ballshit.  Një lojë elektorale me shëndetin dhe mirëqenien e të punësuarëve në atë sipërmarrje, qëllim i vetëm i të cilës është vota e tyre.

Nga ana tjetër po bëhet gjithçka për të mbuluar skandalin e mbetjeve toksike, ku deklaratat e qeveritarëve treguan se është vepruar si një organizatë kriminale, për të cilën SPAK duhet të hetojë.  Duhet të marrë fund koha kur qytetarët shihen si vota e më pas lihen në mëshirë të fatit. Duhet të marrë fund koha, kur qeveria luan me bukën e gojës së shqiptarëve, vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin.

Që të punësuarit pranë kompanisë të mostrajtohen si plaçkë lufte mes atyre që po përpiqen të fshehin përgjegjësitë për çfarë kanë bërë përgjatë këtyre viteve, skandalin e mbetjeve toksike dhe lojën e turpshme elektorale në kurriz të qytetarëve që luftojnë për mbijetesë, institucionet e drejtësisë duhet të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të zbardhin me shpejtësi dhe rigorozitet këtë aferë  çnjerëzore, që dëmton shëndetin, sigurinë dhe imazhin e Elbasanit dhe Shqipërisë duke nxjerrë përpara drejtësisë çdo zyrtar të lartë të përfshirë në këtë histori rrënqethëse. Shqipëria meriton më shumë!”, shkruan Basha.

Lini një Përgjigje