Përplasje dhe tensione në Partinë e Lirisë të drejtuar nga Ilir Meta, i cili prej tetorit 2024 ndodhet në qeli me vendim të GJKKO-së, pas kërkesës së SPAK.
Në një kohë kur PL është në negociata me PD lidhur me daljen me një listë të përbashkët kandidatësh për deputetë në zgjedhjet e 11 majit, në partinë e Metës ka plasur sherri. Dhe duket se shkak janë pikërisht emrat që qarkullojnë se do të hyjnë si kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 11 majit, në atë që pritet të formësohet si koalicioni opozitar i drejtuar nga Sali Berisha.
I pari që ka reaguar ka qenë Denis Hidri, anëtar i Këshillit Drejtues të PL-së dhe ish-kandidat për deputet.
Hidri shkruan se Partia e Lirisë u mbush me njerëz anonimë dhe të tjerë që kanë dhënë gjithçka për këtë forcë poltike u lanë në hije.
"Ka sot deputetë që me 300 vota janë në parlament dhe njerëz që vijnë nga rruga për t’u bërë Sekretar të Përgjithshëm," akuzon ai.
E për këto arsye ai thotë se vendosi që të largohet nga çdo angazhim në mbështetje të kësaj partie dhe strukturave të saj.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi edhe nga ana e Partisë së Lirisë, për këtë largim nga radhët e saj. Ka qenë zëdhënsja, Jasmira Memelli e cila në facebook-un e saj ka cilësuar largimin e Hidrit, si largimin e një tjetër 'sufllaqe dopio pite dhe patronazhist të narko-regjimit.
Por në krah të Hidrit ka dalë Miranda Rira, anëtare e kryesisë së PL-së. Ajo thotë se thotë se në parti janë emëruar njerëz pa asnjë kontribut.
“Shumë gjëra që ti thua qëndrojnë nuk janë arsye për të marrë një vendim te tillë, sepse ne kontratën nuk e kemi me njerezit që hyjne në parti nga oxhaku dhe dalin nga dritarja, por e kemi me Ilir Metën. Po, është e vërtetë që njerez pa asnjë kontribut, pa kaluar asnjë fushatë, asnjë rezultat, asnjë votim janë emëruar e katapultuar ndërkohë që njerëz të tjerë që kanë dhënë shpirtin dhe gjithçka jo vetem që janë lënë në hije, por edhe janë përzënë me turli farë brrylash e thashethemesh.
Sepse ai/ajo që është i/e paaftë, servil/e derdimen/e, pa karakter, rrëmbythje, përzë dhe lufton të aftin, nuk lufton të paaftin.E kundërta është e vërtetë, ata që janë te pregatitur, profesionistë, open minded vetëm afrojnë njerëzit, përqafojnë vlerat dhe parimet. Gjithsesi, unë mendoj se koha është treguesi më i mirë, lumi do te rrjedhe në shtratin e vet, dhe pemën pa kokrra e pa rrënjë shume shpejt e fshin era, por qëndrestarët mbeten, në kohë të mirë e në kohë të keqe”, shkruan Rira.
Dhe duket se e gjithë kjo situatë ka si shkak zgjedhjet e 11 majit, ku negociatat në emër të PL-së me demokratët po bëhen nga Tedi Blushi, ndërsa shumë nga njerëzit e përfshirë në Kryesinë apo Komitetin Drejtues të PL-së, do të mbeten pa kandiduar.
Lini një Përgjigje