TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Qershor 2026, 14:27

Papa Leoni XIV krah emigrantëve: Nuk janë kërcënim, por mundësi për të bashkuar popujt

Shkruar nga Pamfleti
Papa Leoni XIV krah emigrantëve: Nuk janë kërcënim, por
Papa Leoni XIV

Papa Leoni XIV ka përcjellë një mesazh të fortë mbi emigracionin, duke e cilësuar atë si një mundësi për afrimin e popujve dhe pasurimin e ndërsjellë kulturor.

Gjatë një takimi me emigrantë në Qendrën Las Raíces në Tenerife, në kuadër të vizitës së tij në Ishujt Kanarie të Spanjës, Ati i Shenjtë tha se lëvizja e njerëzve nga një vend në tjetrin mund të shërbejë si urë lidhëse mes kulturave dhe shoqërive.

“Emigrimi ka një mesazh të rëndësishëm për të përcjellë, sepse mund të shndërrohet në një mundësi për takim dhe pasurim të ndërsjellë midis popujve”, deklaroi Papa.

Ai inkurajoi emigrantët të ndajnë vlerat, traditat dhe kulturën që sjellin me vete, duke mbetur njëkohësisht të hapur ndaj realitetit dhe kulturës së vendeve që i presin.

Papa Leoni XIV theksoi gjithashtu rëndësinë e përgjegjësisë kolektive për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më solidare për brezat e ardhshëm.

“Duhet të mendojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe t’u lëmë trashëgim një qytetërim të bazuar në dashuri dhe respekt për tjetrin”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Ati i Shenjtë vuri në dukje se njerëzit mund të kenë origjina të ndryshme, por ndajnë të njëjtën dinjitet njerëzor.

“Dashuria e Zotit nuk njeh kufij dhe nuk bën dallime. Ajo u përket të gjithëve dhe na bashkon”, tha Papa.

Gjithashtu, ai falenderoi autoritetet spanjolle, organizatat humanitare dhe vullnetarët që ndihmojnë emigrantët, duke vlerësuar përpjekjet e tyre për t'u rikthyer shpresën dhe dinjitetin njerëzve në nevojë.

papa leoni xiv mesazh emigrantet ati i shenjtë

Lini një Përgjigje