Plani i Donald Trump është që NATO nuk do të jetë më një klub, ku kaposhë të vendeve të vogla si këndezi ynë piktor të këpusin mufka, por do përbëhet nga dy struktura të rëndësishme: Kontribuesit dhe pjesa tjetër mbështetëse…
Prej disa ditësh, në mjediset diplomatike në Ballkan kanë mbërritur dokumente shokuese nga disa qendra inteligjente të SHBA dhe Europës.
Disa qendra të rëndësishme analize, që punojnë ngushtë me qeveritë, e që janë në kuptimin e plotë të fjalës organizma të shërbimeve inteligjente, kanë përgatitur boceta të kataklizmës gjeopolitike që po i vjen botës, e veçanërisht Europës e Ballkanit, nga era e re që po sjell Donald Trump.
Pjesë të këtyre bocetave kanë mbërritur edhe në Ballkan, e natyrisht në Shqipëri.
Parë në brendësi të dokumenteve që kanë mbërritur, të dhënat janë tronditëse. SHBA, përkatësisht ekipi i Trump e ka gati projektin e NATO-s së re. E cila nuk do të jetë më një organizatë e njëjtë më parë, apo si BE aktuale.
Një diplomat që ndau me Pamfletin pjesë të këtij projekti, tha se në këto bocete, bëhet e ditur se ka përfunduar njëherë e mirë koha e “vendimit unanim” apo “vetos në vendime”. Edhe Bashkimi Europian me planin Macron, thuajse e ka gati braktisjen e kësaj filozofie, por duket që NATO do të jetë e para që do ta aplikojë.
Shkurt: Donald Trump nuk do ta shkrijë NATO-n, as bazat e saj strategjike në Europë, megjithëse një pjesë e mirë e tyre do të shkrihen si të panevojshme dhe shumë të kushtueshme. Plani i Donald Trump është që NATO nuk do të jetë më një klub, ku kaposhë të vendeve të vogla si këndezi ynë piktor të këpusin mufka, por do përbëhet nga dy struktura të rëndësishme: Kontribuesit dhe pjesa tjetër mbështetëse.
NATO, sipas projektit të ri, do të jetë një lloj “klubi golfi” siç i pëlqen ta quajë Trump, ku ai që paguan kuotën më të madhe, do të ulet edhe në tryezën më të mirë, e do të ketë shërbimet më të rafinuara. Kush paguan më pak, mund të rrijë të shijojë shkallët e spektatorit, apo shezlongjet e pishinës-pa peshqirë.
Në projektin e NATO-s së re të Donald Trump, pritet të modifikohet thelbi i saj, “Neni 5”, sipas të cilit nëse një vend anëtar hyn në luftë, të gjithë anëtarët i shpallin luftë armikut të aleatit. Sipas projektit, ndërhyrja për të mbrojtur një aleat, bëhet vetëm nëse shpenzimi ushtarak është në nivelet e paramentrave të përcaktuara. Trump po mendon që të zhvillojë stërvitje e manovra të përbashkëta, vetëm me ato vende që kanë kapacitete për ta bërë këtë punë. Me një fjalë, me shtetet më të fuqishme.
Pra kemi të bëjmë me një ndryshim të madh, ku dilemat e para janë roli i vendeve si Shqipëria, por natyrisht edhe cila do të jetë e ardhmja e Kosovës, në prag të kësaj ere të re.
Sipas analistëve që shpjegojnë në drafte fiozofinë e re amerikane, nuk do të ketë më “luftë morale” apo misione paqeruajtëse morale. Dy gjërat që vihen në pikëpyetje nga kjo srategji është KFOR dhe bazat e NATO-s në Shqipëri, përkatësisht Kuçova që është caktuar si bazë e aleancës, por edhe projekti që porti i Durrësit të jetë edhe një liman ushtarak i Aleancës.
Frika më e madhe është KFOR, që edhe aktualisht që flasim është kthyer në një mision rudimentar, ku shumica e kontigjenteve, një vit më pare, u morën përpara nga disa serbë të dehur në veri të Kosovës, që ndaluan vetëm kur aty mbërritën amerikanët.
Po a duan amerikanët të mbajnë bazën e Kosovës, përkatësisht Bondsteel në Ferizaj, dhe misionin e KFOR?
Sipas bocetit, amerikanët e kanë quajtur të rëndësishme bazën e Kosovës, por mjaft të kushtueshme. Sipas kontratës së qirasë 70 vjeçare, pagesat për tokën që janë mjaft të shtrenjta mbarojnë në vitin 2070, ndaj si propozim vjen ideja që kostot e saj t'i paguajë vendi pritës nëse e sheh të arsyeshme. Pra qiranë e mbetur ta paguajë Kosova dhe shpenzimet ushtarake e logjistike, ushtria amerikane. Ka fjalë që edhe për këtë të kërkohen kompensime.
Ndërkaq për bazën e Kuçovës, materiali thotë se studimi i fizibilitetit është jo shumë i qartë për kostot e saj, e në vija të përgjithshme amerikanët do t’i kërkojnë italianëve që ta menaxhojnë atë, nëse duan një fuqi të rëndësishme në Ballkan.
Amerikanët e kanë për zemër bazën e Pashalimanit në Orikum, me kusht që të ulen shumë shpenzimet për bazën e Napolit dhe eleminimi totalisht i bazës së Gioia del Taura-s në Kalabri.
Por siç mësohet, për Pashalimanin, ka një insistim nga Erdogan që kërkon ta administrojë si një aktor i rëndësishëm në NATO. Përkatësisht ushtria e dytë në Aleancë. E parë edhe nga marrëdhëniet personale mes dy liderëve, edhe mund të ndodhë. Erdogan e kërkon për deterrencë ndaj grekëve. Për t’i treguar se nëse ju keni deterrencë ushtarake e strategjike afër Turqisë në ishujt grekë të Egjeut, unë kam në pëllëmbë të dorës Korfuzin, të gjithë ishujt e Jonit, e të gjithë Epirin.
Ndërkaq, për Portin e Durrësit, sipas gjasave nuk do të ketë asnjë interesim të Aleancës së re. Diplomati që i bëri të ditur Pamfletit, pjesë të kësaj ideje që nuk po qarkullon vetëm në Shtëpinë e Bardhë, por edhe në Kongres, tha se amerikanët në Adriatik kanë më shumë strategjik Portin e Triestes, që e konsiderojnë shumë të rëndësishëm për Mesdheun.
Po ç’do të ndodhë me ne?
Gjasat janë të na lënë në kujdestari ose të turqve, italianëve apo edhe të grekëve. Sipas zonave të influencës. Ku ishim? Askund, ku erdhëm hiçgjëkundi. Duket se na duhet të hapim sërish librat për imperializmin dhe revizionizmin, siç i përmendi edhe Emanuel Macron, në fjalimin drejtuar kombit dy ditë më parë…/Pamfleti
Lini një Përgjigje