
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kërcënuar sot kreun e qeverisë Edi Rama, se do të mbajë përgjegjësi nëse Metës i ndodh gjë në burg.
Ai tha gjithashtu se që prej ditës së djeshme rreth e qark Partisë së Lirisë ka pasur persona, të cilët sipas tij, janë spiunë të shërbimit informativ shtetëror.
“Kam një paralajmërim publik për të gjithë spiunët e shërbimit informativ shtetëror dhe të SPAK që nga mbrëmë deri sot po vërtiten si hiena rreth PL, qëndroni larg. Qëndroni larg kësaj godine se as Altin Dumani nuk do t’ju bëjë derman. Dhe sigurisht një tjetër paralajmërim kam për Edi Ramën personalisht. Nëse Ilir Metës i ndodh gjë brenda ambienteve ku është izoluar, përgjegjësia do të jetë e tij personale. Jo vrimë miu, por as vrimë gjilpëre nuk do të gjejë”, u shpreh Blushi në një deklaratë për mediat.
Ndër të tjera, ai tha se ka komunikuar me Metën i cili ndodhet në qeli dhe Presidenti i PL-së nuk ka asnjë porosi të veçantë nga burgu.
“Ilir Meta është shumë mirë me shëndet, i fortë. Nuk ka nevojë për porosi ekstra nga burgu. Linja e partisë është e qartë, luftë pa kompromis, përballje dhëmbë për dhëmbë me narkoshtetin”, tha Blushi.
Kreu i PL u arrestua ditën e djeshme në afërsi të kthesës së Kamzës, teksa po kthehej me automjetin e tij nga Kosova. Ndaj tij rëndojnë tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie. Masë sigurie “detyrim paraqitje” u vendos ndaj Monika Kryemadhit, “arrest shtëpie” ndaj Piro Xhixhos dhe “detyrim paraqitje” ndaj Ema Çokut.
Lini një Përgjigje