
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka folur lidhur me arrestimin e Ilir Metës.
Teksa e ka cilësuar SPAK dhe GJKKO si struktura kamikazë dhe mekanizma kriminalë që janë në shërbim të regjimit, Blushi tha se PL po mbledh informacione lidhur me atë që e konsideroi si banda të cilët morën përsipër të bënin aktin e terrorit ndaj Presidentit të PL-së, Ilir Meta.
“Pjesë e grupit terrorist që rrëmbeu Presidentin e PL-së janë banditë, gangsterë që trimërohen pas maskave. Shqiptarët duhet ta dinë se kush janë këta horra që u përdorën”, tha Blushi.
Ai u shpreh se një nga 6 oficerët e ngarkuar që duhet të prezantonte mandatin e arrestit është 27 vjeç, pa eksperiencë në strukturat e policisë, i cili në skenat e djeshme ka shërbyer edhe si roje trafiku.
“Nga horrat që u përpoqën të nxirrnin forcërisht Ilir Metën, të paktën kemi identifikuar dy persona me precedentë kriminalë, të lidhur me bandat në zonën e Durrësit. Nëse kjo nuk është e vërtetë lë të dalë ministri i Brendshëm dhe të përgënjeshtrojë deklaratat”, tha Blushi.
Blushi tha gjithashtu se një nga automjetet civile, pa asnjë logo policie, një automjet yip Volksëagen AA42IVA është ky automjeti nga i cili ka dalë një bandit me kapuç që ka kërcënuar me automatik edhe qytetarët.
“Ky automjet prej dy vitesh qarkullon në rrugët e Shqipërisë pa asnjë dokument identifikues, madje me një histori shumë të dyshimtë”, tha Blushi. Ai u shpreh se automjetet që janë përdorur nuk i përkasin Policisë së Shtetit.
Ai theksoi se persona me maska, pa asnjë shenjë identifikimi, të armatosur me armë të rënda ushtruan dhunë edhe ndaj z. Peca, funksionar i lartë politik i PL-së.
“SPAK dhe GJKKO janë dy struktura kamikazë, nuk ka asnjë provë dhe asnjë dëshmi që provon se Ilir Meta ka shkelur ligjin.
Janë dëshira dhe vullnete të regjimit përmes mekanizmave kriminal dhe kryeterroristit Altin Dumani. Kanë marrë përsipër të shkatërrojnë pluralizmin”, tha Blushi për “News 24”.
Lini një Përgjigje