Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se strategjia e opozitës mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama nga pushteti, duke e cilësuar atë si rrezik për sigurinë në vend dhe më gjerë.
Gjatë një konference për mediat, Berisha iu përgjigj pyetjeve mbi qasjen e opozitës përballë qeverisë, duke ngritur akuza për lidhje të kryeministrit me struktura kriminale.
“Strategjia jonë është largimi i Edi Ramës nga pushteti, si kryetari i organizatës më të rrezikshme kriminale që ka qeverisur Shqipërinë. Ai është një rrezik edhe për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë për shkak të lidhjeve të tij me organizatat më agresive”, tha Berisha.
Në vijim të deklaratave, ai iu referua edhe emisionit televiziv italian për të mbështetur qëndrimin e tij politik.
“Ju e patë… A e patë emisionin e fundit të “Rai 3”? Çfarë thoshte? Mafia më e rrezikshme në Evropë, ose mafia më e rrezikshme ndërkombëtare! E lidhur me Edi Ramën, pastron paratë në Shqipëri kryesisht, e përdor si platformë për të shpërndarë krimin kudo në rajon. Jepeni këtë, të kuptojnë shqiptarët se cili është imazhi i kësaj qeverie por edhe i narkoshtetit, rrezik i fqinjëve, Evropën e Botën”, u shpreh ai.
Berisha theksoi se opozita do të vijojë betejën politike deri në arritjen e objektivit të saj.
“Nëse je rrezik për Shqipërinë, je rreziku më i keq. Kjo është strategjia jonë dhe ne vazhdojmë të palëkundur në këtë drejtim”, tha kreu i selisë blu.
Lini një Përgjigje