Janë zbardhur detajet nga mbledhja e kryeministrit Edi Rama me kryetarët socialistë të bashkive në Pallatin e Kongreseve.
Rama gjatë fjalës së tij ka kërkuar të ketë fokus tek ngritja e emergjencave civile në nivel vendor dhe gjithashtu të ketë më shumë angazhim për paketën e maleve për shkak te interesit të lartë.
“Jemi duke punuar për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve, sidomos në zonat turistike”, mësohet të ketë thënë Rama.
Ai iu ka kërkuar kryebashkiakëve që të angazhohen në terren me strukturat e partisë si edhe në turin “Punët e Shqipërisë”.
Për kryebashkiakët që kanë më shumë se 3 mandate që nuk do të rikandidojnë ka kërkuar që të angazhohen për pjesën e mbetur të detyrës së tyre. Sa i përket “Paketës së Maleve”, në fillim do të vendoset një buxhet 5 mln euro.
Takimi i Ramës është zhvilluar me dyer të mbyllura teksa kryebashkiakët demokratë nuk janë lejuar të futen në ambientet ku po mbahet mbledhja. Kryetari i Bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj ka bërë me dije se nuk i është lejuar të marrë pjesë pasi garda nuk e ka lejuar të hyjë në sallë.
Sipas tyre emri i tij nuk figuron në listën e pjesëmarrësve. Dodaj në një komunikim me gazetaren Shehu ka deklaruar se organizatorët i kanë thënë së është bërë një gabim në dërgimin e ftesës.
Disa kryetarë të Partisë Demokratike kanë deklaruar se kanë marrë ftesë për të marrë pjesë në të njëjtin takim, ndërsa Partia Socialiste thekson se janë ftuar vetëm kryetarët socialistë të bashkive.
Kryetarët Miftar Dauti i Hasit dhe Albert Mylyshi i Mirditës kanë deklaruar se nuk kanë marrë ftesë për këtë takim me Ramën në Pallatin e Kongreseve.
Lini një Përgjigje