Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, gjatë një konference për shtyp është pyetur në lidhje me paralajmërimin e ambasadës së SHBA-së për rrezikun e mundshëm të sulmeve iraniane, duke theksuar se institucionet shqiptare kanë prej kohësh masa të shtuara sigurie.
Ai bëri të ditur se strukturat ligjzbatuese kanë kryer vlerësim të vazhdueshëm të riskut në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, si dhe kanë hartuar plane konkrete për mbrojtjen e sigurisë publike dhe infrastrukturës kritike.
“Së pari, Shqipëria ka prej disa kohësh masat e nevojshëm në kuptim të vlerësimit të riskut nga të gjithë agjencitë ligjzbatuese, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ku jo vetëm kemi bërë vlerësimin e riskut po edhe një plan masash jo vetëm për sigurinë publike në shesh por edhe infrastrukturën kritike në përgjithësi. Policia është me masa të shtuara sigurie, në vendndodhje që konsiderohen me rëndësi kritike. Kjo ka ndodhur shumë kohë më parë duke marrë në konsideratë të gjithë zhvillimet në Lindjen e Mesme.”, u shpreh ministri.
Duke e cilësuar njoftimin e ambasadës amerikane si një procedurë rutinë, Lamallari tha se ka kërkuar informacion të detajuar nga strukturat e Policisë së Shtetit pas këtij reagimi.
Ai theksoi se policia ka marrë masa gjithashtu edhe ndaj kërcënimeve që vijnë në formë hibride, duke shtuar se synohet të krijohet përshtypja se Shqipëria është një vend i pasigurt.
“Edhe me reagimin publik të ambasadës, kërkova nga strukturat e policisë përfshirë Antiterrorin dhe Policinë kriminale, për të më informuar lidhur me masat dhe komunikimin që kanë pasur me përfaqësuesit e ambasadës. Më është bërë me dije se nga komunikimi të zyrës së ambasadës është konfirmuar se ky është lajmërim standard që është bërë edhe në vende të tjera.
Nga ana tjetër, ata vlerësojnë, bashkëpunimin dhe angazhimin e policisë dhe qeverisë për masat e shtuara të marra prej kohësh, duke marrë në konsideratë faktin që policia ka ngritur kapacitetet nevojshëm për t’u përgjigjur kërcënimeve që vijnë edhe në forma hibride dhe ata që zhvillohen përmes dezinformimit në rrjete sociale, se për të krijuar përshtypje të një vendi të pasigurt.”, u shpreh ministri.
Lini një Përgjigje