Kreu i PD, Sali Berisha gjatë Foltores para Kryeministrisë i krahasoi veprimet e Policisë së Shtetit të ngjashme me ato të Asadit në Siri.
Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Lamallari. Ai paralajmëroi se protesta e ardhshme do jetë proporcionale në raport me dhunën që u bë të premten.
“Por ditën e premte, shqiptarët dhe miqtë e tyre kudo në botë u përballën me pamjet më të shëmtuara, me pamje që të kujtonin sulmet e Asadit mbi popullin e tij. Me pamje që të rikujtonin sulmet kimike të Sadam Hyseinit dhe gjenocidin ndaj kurdëve. Me pamje të qytetarëve të mbytur nga helmi, me pamje deputetësh që dergjeshin përtokë të asfiksuar me spraj toksik ariu të hedhur nga kriminelë të pafytyrë. Mirëpo këto pamje, që qarkulluan të premten në Shqipëri dhe në mbarë botën, nuk ishin as nga Siria, as nga Iraku, por nga Shqipëria në zemër të Europës. Një sulm shtazor i urdhëruar nga kreu i narkoshtetit, biri i bllokmenit xhelat, Edvin Kristaq Rama dhe i ekzekutuar nga ushtarët e tij të verbër, Besfor Kimiku, Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, të cilët morën përsipër të helmojnë qytetarët kryengritës paqësorë me lëndë nga më të rrezikshmet helmuese”, tha Berisha
Berisha deklaroi se PD nuk do të ndalet, derisa të rrëzojë qeverinë, që e quajti bandite.
“Në protestë, helmuan qytetarët prej frikës. Besfort kimiku dhe të tjerët në krye të Policisë së Shtetit dhunuan qytetarët. Ata kanë frikë dhe kjo është shenja e kapitullimit të tyre. Protesta jonë e ardhshme do jetë proporcionale në raport me dhunën që na u bë. Dhuna jonë do jetë proporcionale me dhunën e një banditi në krye të qeverisë. Qytetarët kërkojnë që mos pengohet integrimi në Bashkimin Europian. Ne ia dolëm që të zbërthejmë piramidën e mashtrimit. Rama dhe Balluku e kanë vendin në burg. Na sulmuan me granata, shkopa goma. Ja ku jemi në kilometrin e fundit”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje