TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Mars 2024, 15:38

Berisha rrezikon djegien e mandatit të deputetit, Apeli i GJKKO nuk lejon që të marrë pjesë në Kuvend

Shkruar nga Pamfleti
Berisha rrezikon djegien e mandatit të deputetit, Apeli i GJKKO nuk lejon
Berisha duke mbajtur fjalime nga dritarja

Nëse Berisha brenda 6 muajsh nuk shkon në Kuvend, atëherë i hiqet automatikisht mandati.

Sali Berisha do të vijojë të qëndrojë mes katër mureve të banesës. Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO, duke mos lejuar që ai të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.

Duke qenë se është deputet, Berisha ju drejtua fillimisht Shkallës së Parë me një kërkesë që ditën e enjte ai të lejohet të marrë pjesë në seancat plenare. Por ajo e rrëzoi. Ndërkohë avokatët ju drejtuan Apelit që të zhbëjë vendimin e Shkallës së parë. Por edhe Apeli e la në fuqi duke rritur rrezikun që Sali Berishës t’i digjet mandati i deputetit. Nëse ai brenda 6 muajsh nuk shkon në Kuvend, atëherë i hiqet automatikisht mandati.

"Ky vendim i sotëm vendosi rrëzimin e kërkesës sonë. Sot u vërtetua shkelmimi i Kushtetuës edhe nga Apeli. Këta janë sy që nuk shikojnë dhe veshë që nuk dëgjojnë, me regji. Duam që të lirohet Berisha, sepse nuk ka akuzë dhe nuk ka prova. Këta kanë vënë trupat e tyre për ta mbajtur në këmbë sistemin. Kjo gjykatë me vendimin e saj e largoi veten nga ligji dhe Kushtetuta. Nuk pranon SPAK as ekspertizat, asgjë. Kjo është çartje dhe lajthitje", tha avokati Genc Gjokutaj. Pritet që Berisha t'i drejtohet tani Gjykatës së Lartë. 

Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi "Partizani". Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.

Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë  kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.

Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi;  

Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi;

Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro. /Pamfleti

Lini një Përgjigje