TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Maj 2026, 19:02

“Berisha është kthyer në kambalecin e Ramës”, Salianji: Nuk zmbrapsemi, me ne u ka ngecur sharra në gozhdë

Shkruar nga Pamfleti
“Berisha është kthyer në kambalecin e Ramës”,

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka vijuar kritikat e forta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke deklaruar se qëndrimi i tij në krye të selisë blu po ndihmon indirekt kryeministrin Edi Rama të qëndrojë në pushtet.

Gjatë një takimi me mbështetësit, Salianji vlerësoi rolin historik të Berishës në Partinë Demokratike dhe pluralizmin politik në Shqipëri, por theksoi se sot situata politike kërkon një brez të ri drejtuesish.

“Le ta themi pa ekuivok, Sali Berisha është lideri historik i PD-së. Kontributet e tij në PD janë të padiskutueshme në vitet e pluralizmit”, deklaroi Salianji.

Megjithatë, ai tha se kreu aktual i demokratëve është konsumuar politikisht dhe nuk arrin më të bashkojë opozitën.

“Pas 36 vitesh në politikë, ai sot është i konsumuar politikisht, i izoluar ndërkombëtarisht dhe i paaftë për të bashkuar opozitën”, u shpreh ish-deputeti demokrat.

Salianji përdori edhe një metaforë të fortë politike ndaj Berishës, duke e cilësuar atë si “kambalecin” që mban në pushtet Edi Ramën.

Qëndrimi i tij në krye të PD dëmton opozitën dhe ndihmon Edi Ramën, duke u kthyer në ‘kambalecin’ që e mban në pushtet”, deklaroi ai.

Në fund, Salianji theksoi se Berisha duhet t’i hapë rrugë një gjenerate të re në Partinë Demokratike.

“Sali Berisha është barrë për opozitën dhe duhet t’i hapë krahun një brezi tjetër”, përfundoi ai.

Gjatë fjalës së tij, Salianji deklaroi se PD duhet të frymëzojë qytetarët dhe të rikthejë mobilizimin masiv të elektoratit.

“Ne duhet të frymëzojmë ndryshimin dhe të çojmë mbi 800 mijë votues në kutitë e votimit. PD duhet të ndryshojë”, tha ai.

Salianji u shpreh se takimet në të gjithë Shqipërinë synojnë ndërtimin e një Partie Demokratike që, sipas tij, mund të mobilizojë një shumicë qytetarësh dhe të rikthejë “epërsinë morale” me të cilën demokratët kanë ardhur më parë në pushtet.

Këtë gjë e shohim edhe sot në këtë sallë të Dibrës, herën tjetër do ta bëjmë takimin në stadium”, deklaroi ai, ndërsa falënderoi demokratët e Dibrës, Durrësit, Elbasanit, Gjirokastrës, Beratit dhe Shkodrës për mbështetjen.

Ish-deputeti paralajmëroi se lëvizja e nisur prej tij do të shtrihet edhe në kryeqytet.

“Tirana po pret, nuk e kemi lënë për në fund. Ata që bëjnë zgjedhjet e degëve në Tiranë fshehurazi, do ta shkundim edhe Tiranën”, u shpreh Salianji.

Ai e cilësoi këtë si një lëvizje të paprecedentë në historinë e Partisë Demokratike, duke theksuar se për herë të parë po sfidohet kryetari në detyrë me një mbështetje të tillë nga baza demokrate.

Nuk kemi parë kurrë në historinë e PD të sfidohet kryetari në detyrë dhe të ketë këtë mbështetje nga demokratët”, tha ai.

Në fund, Salianji deklaroi se ai dhe mbështetësit e tij nuk do të tërhiqen përballë presioneve dhe sulmeve politike.

“Nuk kemi ofenduar askënd, kemi dashur të mos përçajmë, por kemi marrë fyerje, shantazh dhe linçim. Po e them edhe nga Dibra, mua dhe mbështetësit e mi as nuk na trembin, as nuk na shantazhojnë. Nuk zmbrapsemi, me ne u ka ngecur sharra në gozhdë”, deklaroi Salianji.

salianji pd rama

Lini një Përgjigje