Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Rama, i cili u shpreh në podcastin e tij se Shqipëria është më afër se kurrë integrimit në Bashkimin Europian.
Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Berisha akuzoi Ramën se në monologun e së dielës shmangu raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë, dokument që sipas tij përmban kritika të forta ndaj qeverisë shqiptare.
“Raporti damkos zgjedhjet si një proces në të cilin linja mes institucioneve shtetërore e strukturave partiake u shua, vota u ble, financime të paligjshme. Ngrihet mungesa e rolit të parlamentit në procesin e integrimit ndërkohë që kërkohet të ketë rol qendror. Denoncohet qëndrimi i qeverisë ndaj minoriteteve e mediave. Ndaj fëmijëve shqiptarë ku gjysma e tyre jetojnë të përjashtuar e në rrezik varfërie”, u shpreh Berisha.
Berisha u ndal edhe tek kritikat që raporti adreson ndaj nismës “Ballkani i Hapur”, që e cilësoi si një përpjekje për të dëmtuar procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Dënohet me forcë Ballkani i hapur dhe letra e Vuçiç-Rama si përpjekje për të minuar procesin e integrimit. Rama fshehu një dokument themelor të BE-së për Shqipërinë dhe nuk shqiptoi asnjë fjalë për raportin IBAR. Prej muajsh ndaj Shqipërisë po shtohen kushte dhe kërkesa të reja nga vendet anëtare”, deklaroi Berisha.
Në reagimin e tij, ish-kryeministri ironizoi edhe deklaratat e Ramës për mediat dhe startup-et, duke e akuzuar se kontrollon shumicën e mediave në vend dhe përdor propagandën për të ndikuar opinionin publik.
Lini një Përgjigje