
Sekretari i grupit parlamentar të PD-së, Arbi Agalliu tha se Partia Demokratike duhet ta zgjedhë sa më shpejt kryetarin e ri.
Sipas, Agalliut deri më sot kjo nuk ishte e mundur për shkak të vendimit të gjykatës për vulën e partisë. Ai ka shtuar gjithashtu se në shtator PD duhet të ketë një kryetar dhe deri në fund të vitit duhet të jetë plotësuar me të gjitha strukturat.
“Sot ne nuk duhet të humbasim asnjë minutë kohë. Do të duhet që një orë e më parë të mbyllet si proces. U pa që në një vit e gjysmë, nuk ka koordinim. Përgjegjës janë të gjithë, por më shumë janë ata që kanë përgjegjësi statutore. Deri tani nuk kishte zgjedhje pasi nuk kishte vendimi i gjykatës dhe do të duhej të qetësoheshin gjakrat. Sot ne për më pak se dy vjet hyjmë në zgjedhje. Ne shtatori duhet të na gjejë me kryetar dhe deri në fund të vitit të kemi të gjitha strukturat”, tha Agalliu për News 24.
Sipas tij, Lulzim Basha ka qenë i kushtëzuar nga Berisha. Ndërsa shtoi më tej se nuk mund të flasë për fitore dhe ndryshimin e Bashës pasi nuk ka parë ende asgjë.
“Basha vjen sot dhe thotë që unë deri dje kam pasur nga mbrapa një person, nëse vjen sot me një ekip të ri, me disa të vërteta të thëna publikisht, nuk mund ta gjykojë në këtë të drejtë të tij. Unë deri dje kam qenë i mendimit që Basha ka qenë i kushtëzuar nga Berisha. Sot nëse Basha shfaqet një person krejt ndryshe, nuk mund të them që ky nuk sjell fitoren sepse nuk e kam parë ende. Këshilli Kombëtar duhet të thirret edhe pse më parë nuk është thirrur dhe shumë keq që nuk është thirrur. Nëse nuk ka vullnet, sado që ta thotë statuti, nuk zgjidhet”, tha ai.
Lini një Përgjigje