
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat pas takimit që ka zhvilluar me deputetët e Rithemelimit në Kryesi, deklaroi se temë kryesore e diskutimit ishte vijimi i aksionit të opozitës në Kuvend.
Ai theksoi se mazhoranca i është përgjigjur me arrogancë kërkesave të opozitës për kontrollin parlamentar dhe për këtë arsye aksioni do të vazhdojë.
“Temë kryesore e diskutimit ishte vijimi i aksionit të opozitës në parlament. Besoj se jemi të gjithë dëshmitarë se nga ana e mazhorancës nuk ka pasur asnjë reflektim për të mundësuar rikthimin e parlamentit në normalitet. Opozita është në një aksion prej disa muajsh në Kuvendin e Shqipërisë, si pasojë e dhunimit flagrantë që mazhoranca i ka bërë Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, sa i takon të drejtave legjitime, Kushtetutese të deputetëve të opozitës në sallën e parlamentit. Ju keni parë që në vend te reflektimit ndaj kërkesës së opozitës për të kryer parlamenti një prej tre funksioneve të tij kryesore, atë të kontrollit parlamentar, mazhoranca i është përgjigjur me arrogancë përmes miratimit të ndryshimeve të njëanshme", tha Bardhi.
Lini një Përgjigje