TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Janar 2024, 10:54

McGonigal, gogoli i fshatit tonë!

Shkruar nga Sokol Pepushaj
McGonigal, gogoli i fshatit tonë!
Charles McGonical /

 Fshatarët fërkuan sytë, larguan frikën, u bënë një mëndje e shkruan në derë të SPAK-ut; Ne nuk trëmbemi, nuk u besojmë legjendave urbane, McGonigal-in do e mbajmë për Gogol të fshatit, faleminderit Juri Kim!

McGonigal, ka disa kohë që është bërë Gogoli i fshatit tonë. Të gjithë hajdutët këtej e trembin njëri tjetrin me të, dhe të gjithë tmerrohen prej tij.

Nëse shkrijmë brymën e kujtesës, Gogoli i shfaqet njerëzimit si hije mizore e Gilgameshit të Babilonisë, si model i tmerrit të mbretërve Sumerë, që jetoi në sëndukët e vëmendjes dhe shtrëngimit të shpengimit njerëzor, me substancë frikën për fëmijë.

Lulzim Basha, fle gjumë prej 10 vitesh dhe na ka instaluar pushtet të përjetshëm të mafies, zgjohet vetëm disa orë në vit, vetëm kur Edi Rama e siguron që Gogoli nuk e ha, që Altin Dumani nuk sillet sinorëve të tij.

Edhe Amerika i frikësohet Gogolit të fshatit tonë.

Mbas mbretërimit të gjatë të Gilgameshit në Uruk të ullukut të Surrelit, ku mafia antike milte delet qyqare dhe trembte fshatarët me fshika në stomak nga vrugu i robërisë, FBI krijoi me fytyrën e egër të shefit të vet Enkidunë me pseudonimin Cherles McGonigal, për të trembur bizneset dhe politikat e Ballkanit Perëndimor.

Edhe pas 2800 viteve, Gogoli vazhdonte të frikësonte vetëm fëmijët, pasi mbreti Bablok dhe Gogoli McGonigal, sapo hëngrën fiq tek ferma 11 hektarë e Ilir Beqjas, në mes të pyllit orbital të Lali Erit, dhe u bënë miq.

Në këtë rast, Gogol nuk u bë Mbreti, por ai që konsiderohej “armiku” i Mbretit.

Kjo sepse, në Biblën e fshatit tonë, ishte shkruar se Perëndesha Ishtar, që nga mitologjia kineze njihet me dy emra; Yuri Kim dhe Ki Me Te, do ta ndëshkonte Bablokun dhe do të vriste McGonigalin, për ta futur në dosjet e kujtesës së tmerrshme, si vlerë amerikane.

Në fakt, McGonigal “vdiq” dhe Babloku po vuan në shtratin ku nuk ngrihet kurrë më.

Historia e tyre na ndryshoi edhe historikun e parakalimeve nga idiotësia në idiotësi.

Sot, me McGonigalin e qeverisë amerikane, 200 hajdutë që mblidhen për ditë poshtë ballkonit të Sali Berishës, me pejzat e zërit që nuk shtrihen as deri tek rruga e Elbasanit, trembin Pejgamerin dhe shpirtrat e këqij, ikni nga pushteti se po ju ha Gogoli.

Ky McGonigali, nuk tremb fëmijë, por pushtetarë që mosha e madhe i ka bërë aq fëmijë, sa një farë Altin Dumani, i merr me thupër përpara të gjithë, nëse edhe atij nuk i ngërdheshet Gogoli nga Amerika.

Në fakt, nëpër fijet e folkut fshatar, fillimisht u shfaq si egërsira që tmerroi bizneset, deputetët, qeveritarët, lajmësit laramanë e gjarpërinjtë gjigantë që kishin pickuar lokomotivat gjeologjike të shekullit të internetit, ku mjafton të klikosh dhe përbri çdo emri të shfaqen ndyrësitë e tyre.

Në Amerikë, kishte marrë një Pergamen e shkarraviste Non-Grata, mbushte thasët me dollarë, ikte e vinte si fantazmë, deri në momentin që republikanët e Shtëpisë së Bardhë, e futën në rreth të zi dhe e varën në kornizën federale, si fundin e gënjeshtrës feudale.

Këtu bie perdja.

Fshatarët fërkuan sytë, larguan frikën, u bënë një mëndje e shkruan në derë të SPAK-ut; Ne nuk trëmbemi, nuk u besojmë legjendave urbane, McGonigal-in do e mbajmë për Gogol të fshatit, faleminderit Juri Kim!/Pamfleti

mcgonical gogoli i fshatit tonë

Lini një Përgjigje