Ish-ministri Arben Malaj deklaroi se Sali Berisha nuk përfaqëson më një alternativë udhëheqëse për opozitën shqiptare.
Malaj ka folur gjithashtu lidhur me funksionimin e partive politike dhe rëndësinë e mendimit ndryshe brenda tyre.
“Partitë politike janë institucione të parashikuara në Kushtetutë. Ato kanë detyrimin ligjor të lejojnë mendimin e lirë, mendimin ndryshe. Nëse një parti do të thoshte në Statut që ‘ndalojmë mendimin ndryshe, ndalojmë konkurrimin’, etj, jam i bindur që edhe Kreshniku nuk do ta regjistronte si subjekt politik, sepse regjistrimi bëhet në bazë të Kushtetutës”, u shpreh ai.
Ai theksoi gjithashtu se partitë financohen kryesisht nga buxheti i shtetit, çka sipas tij rrit përgjegjësinë për funksionim demokratik.
“E dyta, partitë politike shqiptare, si bashkime vullnetare, financohen deri në 90 % nga buxheti i shtetit”, tha Malaj për "Report Tv".
Në lidhje me lidershipin e opozitës, Malaj u shpreh kritik ndaj Berishës.
“Lidhur me Berishën. Berisha ka kohë që e ka humbur mundësinë për të qenë lideri i opozitës shqiptare. Në këtë aspekt, ne sot do të kishim një diskutim tjetër. A krijohet një sinergji pozitive në opozitë? Opozita nuk është një kundërshtar për jetë a vdekje, por është një alternativë”, deklaroi ish-ministri.
Duke komentuar garën brenda Partisë Demokratike, ai u ndal edhe te kandidatura e Mereme Selës, për të cilën tha se duhej të kishte mbështetje më të gjerë politike.
“Lidhur me zonjën që ka dalë kandidate dhe shkon në gjykatë. Ajo ka të drejtë, sepse secili ka të drejtë të zgjedhë e të zgjidhet. Por pika e dobët, është se ajo ka dalë thjeshtë si individ. Por kur do të bëhesh lidere e një partie politike, ti krijon një grup”, u shpreh Malaj.
Sipas Malajt, mungesa e alternativave brenda PD lidhet me mënyrën e drejtimit të saj ndër vite.
“Por fakti që nuk ka kandidatë, nuk është avantazh i Berishës, por është dëshmia e qartë e një lideri autoritar. Kështu që në këtë aspekt duhet diçka e re. Kështu që edhe kur s’do ta dorëzojë vetë, ka mënyra si i merret pushteti dhe ndihmohet duke i marrë këtë pushtet absolut”, tha ai.
Në përfundim, ai bëri një vlerësim kritik për figurën e Berishës në raport me historinë politike të vendit.
“Berisha u konsiderua lideri që përmbysi komunizmin dhe po e përmbyll si lideri që në tiparet e tij të përgjithshme ka mentalitet komunist sesi e kontrollon partinë e tij apo si ha, apo nuk lejon të rriten alternativat e reja në PD”, u shpreh Malaj.
Lini një Përgjigje