Ajo që ngre më shumë dyshime është se Gent Ibrahimi duket i spostuar te fotoja zyrtare. Ai është lënë vetëm pas gjyqtarëve të tjerë...
Në kulmin e debateve dhe akuzave, ambasadori i BE Silvio Gonzato ka bërë sot një vizitë në Gjykatën Kushtetuese. Vizita e tij vjen në një kohë kur ka plasur një debat mbi hetimet dhe përgjimin që ka bërë SPAK ndaj Kushtetueses. SPAK pretendon se ka pasur informacione për ndërhyrje të Pëllumb Gjokës te procesi për "SkyEcc", duke dashur të korruptojë gjyqtarët. Konkretisht Gent Ibrahimin.
Ky i fundit është përgjuar dhe vëzhguar për 15 ditë. Ka pasur debate nëse SPAK duhej ta ndërmerrte një akt të tillë dhe sot që Gonzato shkoi aty ka dyshime se lidhet me këtë pjesë. Ajo që ngre më shumë dyshime është se Gent Ibrahimi duket i spostuar te fotoja zyrtare. Ai është lënë vetëm pas gjyqtarëve të tjerë. Po ashtu te një tjetër foto ai nuk duket fare.
Vetë Kushtetuesja reagoi me një deklaratë ku tha se Ambasadori Gonzato shprehu vlerësimet e tij pozitive për veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese.
“Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë Reformën në Drejtësi dhe Gjykatën Kushtetuese në ruajtjen e pavarësisë dhe eficiencës së saj. Hapja e negociatave për Shqipërinë që ka nisur me kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, është tregues se sa i rëndësishëm është roli i drejtësisë efektive dhe respektimi i të drejtave themelore në këtë fazë të re për Shqipërinë. Në këtë proces të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Gjykata Kushtetuese ka rol thelbësor, pasi garanton balancimin e pushteteve, verifikon respektimin e shtetit të së drejtës dhe jep drejtësi për qytetarët”, tha ai.
Gjithashtu, Ambasadori Gozato vuri në pah se marrja e Presidencës së CECC-së është një faktor shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse kjo do të mundësojë krijimin e një rrjeti me gjykatat evropiane që kanë kaluar më parë proceset integruese për njohjen dhe zbatimin e acquis communautaire.
Gjatë takimit, Kryetarja Zaçaj ndau me Ambasadorin disa prej arritjeve më të spikatura të Gjykatës Kushtetuese gjatë kësaj periudhe, si marrja e kryesisë së Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, duke e konsideruar këtë jo vetëm si një vlerësim të gjykatës sonë nga simotrat e saj evropiane, por edhe si një angazhim të shtetit shqiptar për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Trupa e gjyqtarëve u ndal gjithashtu edhe në përpjekjet e Gjykatës Kushtetuese për një gjykatë transparente dhe të qytetarëve, për të qenë e aksesueshme dhe funksionale në dhënien e drejtësisë kushtetuese për të gjithë.
“Shtimi i ankimeve kushtetuese individuale është tregues i rritjes së besimit të qytetarëve te kjo Gjykatë, sikundër edhe i rritjes së ndërgjegjësimit dhe kulturës juridike. Si gjykatë e të drejtave të njeriut, dhënia e drejtësisë kërkon respektimin e garancive procedurale për mbrojtjen e të drejtave themelore kushtetuese. Respektimi i këtyre garancive i jep kredibilitet drejtësisë dhe institucioneve të saj. Gjykata synon të japë mesazhin për qytetarët se ata nuk janë një palë më e dobët se sa shteti dhe se barazia përpara ligjit mbetet themeli i një drejtësie të drejtë”, tha Zaçaj. /Pamfleti
Lini një Përgjigje