TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Mars 2025, 18:30

Pse Berisha proteston ditën e tragjedisë së Gërdecit?!

Shkruar nga Pamfleti

Pse Berisha proteston ditën e tragjedisë së Gërdecit?!

Nuk mund të thuhet me siguri nëse caktimi i datës ishte një rastësi apo një zgjedhje e mirëmenduar për të zhvendosur vëmendjen e asaj dite nga ngjarja tragjike.

Kreu i opozitës, Sali Berisha ka thirrur protestë kombëtare më datë 15 mars. Ky tubim u thirr për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për mbylljen e aplikacionit “Tik-Tok” për 1 vit në territorin shqiptar.

Deri këtu gjithçka duket mëse në rregull, por ajo që bie në sy është përzgjedhja e datës së protestës, 15 mars, datë që përkon me 17 vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur.

Në një kohë kur ende nuk ka një përgjegjës për këtë tragjedi dhe procesi gjyqësor po zvarritet pa fund, protesta e opozitës në këtë datë duket si karshillëk dhe ofendim për familjet e viktimave që ende kërkojnë drejtësi.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, Fatmir Mediu, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, vijon të sorollatet i pashqetësuar sa në shkallët e SPAK, sa në SHBA. Ndërkohë që familjarët e viktimave prej kohësh sorollaten të dëshpëruar nëpër dyert e drejtësisë dhe ende nuk kanë një përgjigje mbi përgjegjësit e katastrofës.

Nuk mund të thuhet me siguri nëse caktimi i datës ishte një rastësi apo një zgjedhje e mirëmenduar për të zhvendosur vëmendjen e asaj dite nga ngjarja tragjike. Mbase data 15 mars ka dalë nga mendja e Berishës pa u konsultuar me askënd, gjë që mund të këtë sjellë këtë koincidencë të çuditshme.

Nëse e gjitha është një rastësi, PD-ja do të duhet të reagojë sërish dhe patjetër të ndryshojë datën e protestës për të mos përdhosur kujtimin e atyre viktimave të pafajshme të një krimi shtetëror./Pamfleti

Lini një Përgjigje