
Nuk dihet nëse kjo tregon mungesë interesi nga ana e drejtuesve të degëve apo ka lidhje me mosbesimin që ata kanë ndaj një procesi që edhe në 2023 u aplikua për zgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë, por pati shumë dyshime për ndërhyrje në rezultat.
Partia Demokratike duket se po shkon drejt një procesi primaresh për zgjedhjet e kandidatëve për deputetë, ndërsa ende nuk janë përcaktuar modalitetet. Kreu demokrat Sali Berisha u shpreh se i takon Këshillit Kombëtar të përcaktojë rregullat, ndërsa i gjithë procesi ka krijuar debate në PD, veçanërisht sa i takon frikës se mund të thellohen ndarjet mes demokratëve.
Në udhëzimin e parë që iu shpërnda degëve të PD-së iu kërkua dorëheqja Kryetarëve dhe Sekretarëve nga funksionet partiake nëse do të hyjnë në garën e primareve si kandidatë për deputet.
Nga 72 degë, vetëm 9 prej kryetarëve kanë dhënë dorëheqjen, mes të cilëve edhe 3 drejtues të degëve të rëndësishme si Elbasani, Durrësi dhe Lezha.
Por në raport me numrin e përgjithshëm të kryetarëve që kjo parti ka në të gjithë vendin, vetëm 1 në 8 kryetarë ka dhënë dorëheqjen, një shifër kjo mjaft e ulët, po të kihet parasysh fakti se bëhet fjalë për një proces që mund t’I hapë rrugën një politikani lokal që të hyjë në Kuvend.
Dhe referuar shifrave duket se i gjithë procesi po dështon, të paktën referuar kryetarëve të degëve.
Nuk dihet nëse kjo tregon mungesë interesi nga ana e drejtuesve të degëve apo ka lidhje me mosbesimin që ata kanë ndaj një procesi që edhe në 2023 u aplikua për zgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë, por pati shumë dyshime për ndërhyrje në rezultat.
Nëse është mungesë interesi kjo tregon se ata, pra drejtuesit e degëve, e shohin të pamundur që forca politike që drejtojnë në nivel lokal të ketë shanse për të fituar në 11 maj. Dhe nëse është mosbesimi, ata ngrenë pikëpyetje të forta për një proces, që përveç se konsiderohet i vonuar, nuk ka të përcaktuar as rregullat e lojës, edhe pse pothuajse vendi është pak më shumë se 3 muaj para zgjedhjeve.
Fakt është që nga 72 kryetarë degësh janë dorëhequr vetëm 9, pavarësisht se në selinë e PD-së thuhet se edhe disa drejtues të tjerë kanë konfirmuar dorëheqjen, edhe pse zyrtarisht duhej të depozitonin shkresat brenda datës 26 janar, bazuar në udhëzimin që iu dërgua pak ditë më parë.
KRYETARËT E DEGËVE TË PD TË DORËHEQUR PËR PRIMARET
1.GJIN GJONI, LEZHË
2.LUAN HOTI, DURRËS
3.HYSEN KADIU, KAVAJË
4.BLEDI HIMÇI, ELBASAN
5.ILIR KROSI, DIBËR
6.ILIR ALLIU, LIBRAZHD
7.AFROVITA DHIMOJANI, HIMARË
8.MANJOLA NIKOLLO, SARANDË
9.ARSEN VALISI, KASHAR, TIRANË /Pamfleti/
Lini një Përgjigje