
Votimi nga jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka nisur ditën e sotme. Kjo është bërë e ditur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili ka zbuluar se i pari që ka votuar është një qytetar nga Dibra me banim në Gjermani.
“Votimi nga jashtë ka nisur! Sot, në orën 07:15, zgjedhësi i parë nga jashtë vendit, me vendbanim në Erlangen, Gjermani dhe votues në qarkun Dibër, ka marrë fletën e votimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve!
Ky është një hap i rëndësishëm për përfshirjen e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit në procesin demokratik të Zgjedhjeve të 11 Majit 2025”, shkruan Celibashi.
Për zgjedhjet e 11 majit janë regjistruar mbi 240 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Kjo është hera e parë që diaspora voton përmes postës, ndërsa votat e tyre do të llogariten sipas qarqeve ku ata rezultojnë se kanë gjendjen civile.
Tirana, Durrësi, Fieri konsiderohen si qarqet me numrin më të lartë të votuesve nga jashtë vendit.
Lini një Përgjigje