Pas dy orësh është mbyllur protesta e studentëve shqiptarë në Shkup, ku mijëra të rinj dhe qytetarë marshuan në qendër të kryeqytetit maqedonas për të kërkuar të drejtën për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Gjatë protestës u raportua edhe arrestimi i tre studentëve, lajm i konfirmuar nga organizatori i protestës, Mevlan Ademi. Deri tani autoritetet maqedonase nuk kanë dhënë detaje zyrtare mbi arsyet e ndalimit të tyre.
Marshimi kaloi nëpër qendrën e Shkupit, ndërsa “Ura e Gurit” u mbush me flamuj kuqezi dhe pankarta me mesazhe në mbrojtje të gjuhës shqipe. Protestuesit brohorisnin “Gjuha shqipe nuk negociohet”, ndërsa kërkonin respektimin e të drejtave të tyre kushtetuese.
Me pankarta në duar, studentët kërkuan dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili ka kundërshtuar zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Në protestë pati gjithashtu thirrje edhe kundër kryeministrit Hristijan Mickoski.
Mes protestuesve tërhoqi vëmendje edhe pankarta e një djali të vogël me mbishkrimin “Mos ma përktheni të ardhmen!”, e cila u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale dhe u kthye në simbol të protestës.
Në marshim morën pjesë studentë dhe qytetarë shqiptarë nga Tetova, Struga, Kosova dhe treva të tjera shqipfolëse. Gjatë ditës pati raportime se autobusë me studentë nga Kosova dhe Shqipëria janë devijuar nga autostrada pas kontrolleve policore, çka organizatorët e konsideruan si përpjekje për të penguar pjesëmarrjen në protestë.
Kjo ishte protesta e dytë e madhe e organizuar nga studentët shqiptarë pas refuzimit të kërkesave të tyre nga Ministria e Drejtësisë.
Studentët argumentojnë se zhvillimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është një e drejtë që buron nga Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.
Çfarë kërkojnë studentët?
Studentët argumentojnë se zhvillimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është një e drejtë që buron nga Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve.
Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, ligji për provimin e jurisprudencës nuk përmban asnjë dispozitë që e kufizon zhvillimin e testimit vetëm në gjuhën maqedonase.
Ndërkohë, neni 2 dhe neni 5 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve parashikojnë që institucionet shtetërore duhet të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat zyrtare dhe administrative.
Një projekt-propozim për zhvillimin e provimit edhe në gjuhën shqipe ishte përgatitur nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2024, por pas ndryshimeve politike ai u hoq nga agjenda parlamentare dhe nuk u rikthye më në diskutim.
Tre studentë janë arrestuar nga autoritetet maqedonase gjatë protestës së studentëve shqiptarë në Shkup, ndërsa deri tani nuk janë bërë publike arsyet zyrtare të ndalimit të tyre.
Pavarësisht incidenteve, protesta ka vijuar me marshimin e mijëra studentëve drejt Ministrisë së Drejtësisë, ku protestuesit kërkojnë respektimin e të drejtave gjuhësore dhe zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Për shkak të pjesëmarrjes së lartë, Ura e Gurit u bllokua plotësisht deri në sheshin “Filipi i Dytë”, ndërsa protestuesit marshuan me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar.
Në tubim, përfaqësues të studentëve theksuan se protesta synon barazi dhe respekt për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Jemi për barazi dhe respekt dhe të gjithë bashkë do të kërkojmë të drejtat tona”, deklaroi Mevlan Ademi gjatë fjalës së tij para protestuesve.
Ai shtoi se protesta nuk do të ndalet dhe se kërkesa për përdorimin e gjuhës shqipe do të vijojë brez pas brezi.
“Ky zë nuk ndalet, kalon brez pas brezi. Çohu shqiptar për gjuhën tonë”, u shpreh ai.
Studentët e konsiderojnë zhvillimin e provimit të jurisprudencës në shqip një të drejtë kushtetuese, ndërsa organizatorët insistojnë se protesta është qytetare dhe jo politike.
Në disa zona të kryeqytetit maqedonas janë vendosur masa të shtuara sigurie dhe prezencë e forcave policore, ndërsa marshimi ka vijuar në mënyrë të organizuar në qendër të Shkupit.
Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është përshkallëzuar këtë të hënë në Shkup, ku qindra studentë kanë marshuar drejt Ministrisë së Drejtësisë për të kërkuar zhvillimin e provimit shtetëror të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
Me pankarta, flamuj kuqezi dhe brohoritje të vazhdueshme, protestuesit kanë bllokuar disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit maqedonas, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov.
“Gjuha shqipe identitet, gjuha shqipe amanet, gjuha shqipe nuk negociohet”, ishte thirrja që dominoi marshimin drejt institucionit të drejtësisë.
Studentëve të jurisprudencës u janë bashkuar edhe të rinj shqiptarë nga Kosova, Tetova, Struga dhe qytete të tjera, ndërsa sipas organizatorëve, një grup studentësh nga Shqipëria nuk ka mundur të marrë pjesë pasi është bllokuar në kufi.
Atmosfera në protestë është shoqëruar me këngë patriotike, brohoritje dhe këndimin e Himnit Kombëtar shqiptar. Në mesin e turmës janë parë dhjetëra flamuj kombëtarë dhe pankarta që kërkonin respektimin e të drejtave kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Studentët insistojnë se zhvillimi i provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase përbën diskriminim dhe bie ndesh me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Protesta ka marrë përmasa më të gjera ditët e fundit dhe po shihet si një nga reagimet më të forta studentore në vend lidhur me çështjen e gjuhës shqipe dhe përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Vijon protesta për gjuhën shqipe në Shkup. Mes mijëra protestuesve, vëmendje të veçantë ka marrë një djalë i vogël që mban në duar pankartën me mbishkrimin: “Mos ma përktheni të ardhmen!”.
Fotografia e tij është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe është komentuar nga ndjekës në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe diaspora shqiptare.
Studentët thonë se kërkesa e tyre lidhet me respektimin e të drejtave gjuhësore dhe zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Kjo që po bëjmë ne është e detyrueshme. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë. Duhet të flitet shqip. Kjo na takon me të vërtetë”, deklaroi një student i Shkencave të Komunikimit gjatë protestës.
Arlinda Emini, studente në Fakultetin Juridik të Universitetit “Nënë Tereza”, tha se protesta është organizim studentor dhe se të rinjtë nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
“Ne nuk do të dorëzohemi. Është një e drejtë që na takon. Është problem i institucioneve, por me brezin tonë do realizohen shumë çështje që nuk janë realizuar më herët”, u shpreh ajo.
Në mbështetje të protestës foli edhe studenti Lavdrim Hajrullahi, i cili paralajmëroi vijimin e protestave deri në plotësimin e kërkesave.
“Shpresojmë që të arrihet zgjidhje. Ne do të vazhdojmë protestat dhe nuk do të ndalemi. Kjo nuk është çështje partiake, është çështje gjuhe dhe të drejtash”, deklaroi ai.

Gjatë protestës, studentët kanë kënduar himnin kombëtar dhe kanë marshuar me flamuj kuqezi e pankarta mbështetëse. Në disa momente janë dëgjuar edhe thirrje në kor, ndërsa në terren janë vërejtur forca të shtuara policore, veçanërisht në zonën përreth Urës së Gurit në Shkup.

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po protestojnë kundër zhvillimit të provimit shtetëror të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase, duke kërkuar njohjen e të drejtës për testim në gjuhën shqipe. Protesta ka rikthyer debatin mbi zbatimin e Ligjit për Gjuhët, Marrëveshjen e Ohrit dhe barazinë e shqiptarëve në institucionet shtetërore...
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë dalë në protestë kundër moslejimit të zhvillimit të provimit shtetëror të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar situatën si diskriminuese dhe në kundërshtim me të drejtat kushtetuese për përdorimin e gjuhës amtare.
Me mijëra persona kanë mbushur qendrën e Shkupit, teksa protestës i janë bashkuar edhe studentët shqiptarë nga Kosova, ndërsa ata nga Shqipëria janë ende të bllokuar në kufi.
Protestat janë përqendruar te kërkesa që studentët e fakulteteve juridike në gjuhën shqipe të kenë të drejtën të japin provimin profesional në të njëjtën gjuhë në të cilën kanë ndjekur studimet. Sipas tyre, detyrimi për ta zhvilluar testimin vetëm në maqedonisht krijon pabarazi dhe cenon të drejtën për përfaqësim të barabartë në sistemin juridik.
Debati lidhet me interpretimin e Ligjit për Gjuhët dhe dispozitave kushtetuese në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse gjuha shqipe gëzon status zyrtar në vend pas Marrëveshjes së Ohrit dhe ndryshimeve kushtetuese të vitit 2001, në praktikë sistemi juridik vijon të funksionojë kryesisht në maqedonisht.

Studentët dhe mbështetësit e tyre argumentojnë se ekziston një mospërputhje mes të drejtave të garantuara në ligj dhe mënyrës së zbatimit të tyre nga institucionet. Ata theksojnë se përdorimi i shqipes lejohet në shumë fusha administrative dhe arsimore, por kufizohet në mënyrë të tërthortë në sistemin e drejtësisë dhe në provimet shtetërore profesionale.
Çështja ka marrë edhe dimension politik. Partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë mbështetur protestat, duke akuzuar institucionet për zvarritje dhe mungesë vullneti për zbatimin e plotë të të drejtave gjuhësore. Ndërkohë, reagime mbështetëse kanë ardhur edhe nga institucione akademike shqiptare.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, ka dalë publikisht në mbështetje të studentëve, duke e cilësuar kërkesën e tyre si një të drejtë themelore dhe jo privilegj politik.
Sipas analistëve dhe ekspertëve të çështjeve juridike, protesta ka nxjerrë në pah boshllëqet dhe paqartësitë në zbatimin e Ligjit për Gjuhët, veçanërisht lidhur me përdorimin e shqipes në institucionet qendrore dhe në sistemin gjyqësor.

Një nga pikat më të debatueshme mbetet kriteri i përfaqësimit prej 20%, i cili përcakton përdorimin zyrtar të gjuhëve të komuniteteve në nivel lokal. Kritikët argumentojnë se ky kriter kufizon të drejtat e shqiptarëve në zonat ku përbëjnë më pak se 20% të popullsisë, duke krijuar pengesa në administratë, arsim dhe drejtësi.
Studentët kërkojnë ndryshime konkrete ligjore që do të garantonin përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e sistemit juridik dhe arsimor, pa kufizime territoriale apo interpretime të ndryshme institucionale.
Protesta e tyre shihet nga mbështetësit si një test për funksionimin real të shtetit multietnik në Maqedoninë e Veriut dhe për zbatimin praktik të parimeve të barazisë dhe bashkëjetesës të parashikuara nga Marrëveshja e Ohrit. /Pamfleti
Pak orë para protestës së studentëve në Shkup, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski është takuar me bashkëkryetarët e VLEN, Bilall Kasami dhe Izet Medziti.
Në takim mësohet se u diskutua tema e përdorimit të gjuhëve gjatë dhënies së provimit të Jurisprudencës. Në një njoftim të qeverisë maqedonase thuhej se institucionet po punojnë në mënyrë aktive për të gjetur zgjidhje.
“U theksua se vetëm përmes një qasje të përbashkët, të mençur dhe dinjitoze mund të arrihen zgjidhje që do të nënkuptojnë përparim, besim të ndërsjellë dhe një hap të përbashkët drejt së ardhmes. Prandaj, institucionet po punojnë në mënyrë aktive për të gjetur zgjidhje që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, me qëllim që të sigurohet siguri juridike dhe funksionalitet”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Një autobus me studentë shqiptarë nuk është lejuar të hyjë në Maqedoninë e Veriut përmes pikës kufitare të Bllatës në Dibër. Deri tani, autoritetet maqedonase nuk kanë dhënë sqarime për arsyet e këtij vendimi.
Ngjarja ndodh në prag të protestës së radhës të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të planifikuar për këtë të martë. Ata kërkojnë zbatimin e të drejtës për të zhvilluar provimet universitare në gjuhën shqipe.
Për koordinimin e protestës, studentët kanë zhvilluar takime në disa qytete, përfshirë Kumanovën, Tetovën, Strugën dhe Shkupin. Reagimi nisi fillimisht nga studentët e Fakultetit Juridik, të cilët prej dy vitesh kërkojnë të japin provimet në gjuhën amtare, pa marrë ende përgjigje institucionale.
Kërkesa e tyre lidhet me të drejta të parashikuara në Kushtetutë dhe me detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Çështja ka hapur debat edhe për përfaqësimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në një periudhë kur partitë shqiptare janë pjesë e qeverisë.
Protesta e parë u mbajt më 6 prill në Shkup dhe përfundoi para Ministrisë së Drejtësisë. Pas asaj proteste, studentët thonë se nuk ka pasur hapa konkretë nga institucionet për adresimin e kërkesave të tyre.
Pas maqedoni ka rradhe serbcka medohia vojvodina qipro mali zi cernike greqia qipro rumani hungari
Mire qe ju hapen syte, ju lumte, vetem Shqiptaria do na ngreje lart e do na nderoje.
BOLL ME LESHIME POSHTERUESE PAFUND PER NE NDAJ TORBESHEVE TE TE ASHTUQUAJTURES MAQEDONI ATA KANE QENE JANE E DO TE BEHEN SERISH TROJET TONA POSHTE PUSHTUESIT MAQEDONAS -ZAGARET E SERBIT VETEM RINIA MUND TA CLIROJE ILIRIDEN O SOT O KURRE