TAGS-AT E JAVËS

LIVE UPDATES11 Prill 2026, 17:10

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë për ballë!

Shkruar nga Pamfleti
1 MUAJ ME PARE

Takimi SHBA-Iran/ Mbyllet faza e parë e bisedimeve, negociatat kalojnë në nivel ekspertësh!

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë

Ekipet e ekspertëve nga të dyja palët shkëmbyen tekste të shkruara mbi çështjet në diskutim pas përfundimit të bisedimeve ballë për ballë...

Bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit duket se po shkojnë pozitivisht deri më tani. Ndonse informacionet nga takimi janë të pakta, qeveria iraniane, në një postim në X, tha se bisedimet kishin hyrë në fazën e nivelit të ekspertëve, ndërsa u bashkuan komitetet ekonomike, ushtarake, ligjore dhe bërthamore.

“Bisedimet midis Iranit dhe SHBA-së në Islamabad hynë në fazën e nivelit të ekspertëve, ndërsa u bashkuan komitetet ekonomike, ushtarake, ligjore dhe bërthamore. Negociatat vazhdojnë në Hotel Serena për të finalizuar detajet teknike”, thuhej në njoftim.

Sipas raporteve të fundit, ekipet e ekspertëve nga të dyja palët shkëmbyen tekste të shkruara mbi çështjet në diskutim pas përfundimit të bisedimeve ballë për ballë. Mediat e huaja po raportojnë për një atmosferë pozitive dhe se ka pasur përparime në disa kërkesa mes palëve. 

Por ka pasur një ngërç mbi kontrollin e Ngushticës së Hormuzit. Irani këmbëngul që të ruajë autoritetin mbi rrugën ujore, duke hedhur poshtë propozimet për kontroll të përbashkët.

Me përfundimin e fazës së parë një tjetër fazë bisedimesh mund të nisë sonte vonë, ose mund të lihet për ditën e nesërme. 

Bisedimet po zhvillohen gjatë një ndërprerjeje dyjavore në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila filloi me sulmet SHBA-Izrael më 28 shkurt. Konflikti, i cili u përhap në të gjithë Lindjen e Mesme dhe shkaktoi tronditje në ekonomitë globale.

Kujtojmë se delegacioni amerikan kryesohet nga zëvendëspresidenti i SHBA-së , JD Vance , i cili shoqërohet nga dhëndri i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner dhe i dërguari i Lindjes së Mesme, Steve Witkoff.

Ndërsa delegacioni iranian kryesohet nga Kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe përfshin gjithashtu Ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi, së bashku me udhëheqës të tjerë.

1 MUAJ ME PARE

Bisedimet SHBA-Iran mund të zgjasin deri të dielën

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të zgjasin deri në orët e vona të natës dhe mund të vazhdojnë edhe të dielën, sipas një burimi pakistanez të cituar nga CNN.

Negociatat po zhvillohen në Islamabad, me Pakistanin që luan rolin e ndërmjetësit mes dy palëve. Prej më shumë se dy orësh palët kanë nisur negociatat ballë për ballë dhe sipas gjasave ato do të zgjasin.

Kujtojmë se delegacioni i Iranit në bisedimet e Islamabadit po udhëhiqet nga një treshe figurash të larta politike dhe diplomatike, sipas raportimeve nga mediat iraniane në terren.

Kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, një figurë e fuqishme brenda sistemit politik të Iranit, po drejton ekipin dhe po mbikëqyr drejtimin e përgjithshëm të negociatave.

Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi sjell përvojë të gjerë nga negociatat e kaluara bërthamore me fuqitë perëndimore. Ali Bagheri Kani , një negociator kyç i linjës së ashpër, ka luajtur gjithashtu një rol qendror në bisedimet e mëparshme bërthamore me Shtetet e Bashkuara.

Delegacioni iranian përbëhet nga rreth 70 anëtarë në total. Përveç negociatorëve kryesorë, 26 anëtarë janë pjesë e komiteteve teknike në fushat ekonomike, të sigurisë dhe politike, me qëllim ofrimin e konsultimeve të nevojshme, raportuan mediat iraniane.

Nga krahu tjetër, zëvendëspresidenti JD Vance po kryeson delegacionin amerikan, së bashku me të dërguarin special Steve Witkoff dhe dhëndrin e presidentit, Jared Kushner.

1 MUAJ ME PARE

Anijet luftarake amerikane kalojnë Hormuzin, nis çmontimi i minave!

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë
Foto ilustruese

SHBA nis operacionet në Ngushticën e Hormuzit për pastrimin e minave dhe garantimin e lirisë së lundrimit, mes tensioneve dhe deklaratave kontradiktore nga Irani.

Dy destrojerë amerikanëkanë kaluar Ngushticën strategjike të Hormuzit, në një moment kritik kur në Islamabad kanë nisur negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), bëhet fjalë për destrojerët USS Frank E. Peterson dhe USS Michael Murphy, të cilët kanë kryer kalimin në kuadër të një operacioni për pastrimin nga minat dhe garantimin e sigurisë së korridorit detar. Në një deklaratë në rrjetin X, CENTCOM theksoi se misioni synon të sigurojë që rruga detare të jetë e pastër nga mina të mundshme të vendosura nga Irani.

Komandanti i CENTCOM, admirali Brad Cooper, deklaroi: “Sot kemi nisur procesin e krijimit të një kalimi të ri dhe së shpejti do ta ndajmë këtë rrugë të sigurt me industrinë detare për të inkurajuar rrjedhën e lirë të tregtisë”.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet në rajon mbeten të larta dhe Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë, pasi një pjesë e madhe e eksporteve botërore të naftës kalon përmes saj.

Paralelisht, burime iraniane kanë raportuar një version tjetër të ngjarjeve. Sipas televizionit shtetëror iranian, Irani ka paralajmëruar një anije luftarake amerikane se do të sulmohej brenda 30 minutash nëse do të kalonte ngushticën. Një zyrtar i lartë ushtarak iranian ka deklaruar se pas këtij paralajmërimi anija është tërhequr, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi vendndodhjen apo zhvillimet konkrete.

Mospërputhjet në deklarime janë të dukshme. Më herët, portali amerikan Axios raportoi se disa anije të Marinës amerikane kishin kaluar Ngushticën e Hormuzit në një operacion që nuk ishte koordinuar me Iranin. Ish-presidenti Donald Trump duket se e konfirmoi këtë informacion, duke deklaruar se ushtria amerikane kishte nisur operacione për “pastrimin” e ngushticës.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë mohuar që ndonjë anije amerikane të ketë kaluar në zonë, duke theksuar se informacionet e publikuara nga mediat amerikane nuk përputhen me realitetin në terren.

Këto zhvillime ndodhin në një moment delikat diplomatik, me nisjen e bisedimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit në Pakistan, ku palët synojnë të gjejnë një zgjidhje për konfliktin dhe të ulin tensionet në rajon.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë nevralgjike jo vetëm për sigurinë rajonale, por edhe për ekonominë globale. Çdo lëvizje ushtarake në këtë zonë reflektohet menjëherë në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe në zinxhirët globalë të furnizimit, duke e bërë situatën aktuale një test të rëndësishëm për stabilitetin ndërkombëtar.

1 MUAJ ME PARE

“Njeriu me Aura”/ Çmenduri në Islamabad, ministri i Jashtëm iranian kthehet në ‘idhull’ të rinisë pakistaneze

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë

Teksa e gjithë bota ka sytë te takimi negociues SHBA-Iran, në pritje të një marrëveshje të mundshme paqeje, të rinjtë pakistanez duket se kanë gjetur një ‘idhull’ të ri në mes të këtyre bisedimeve.

Brenda natës ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Abbas Araghchi është kthyer në 'idhullin' e qindra të rinjve në Pakistan. Një numër i madh ‘meme’-sh pozitive për Araghchin shpërthyen në platformën ‘X’, me dikë që e quajti ministrin iranian: “Burri me Aura”, një term që përdoret nga generata ‘Z’, për të përshkruar dikë që zotëron një prezencë të fuqishme, të paprekshme dhe shpesh magnetike.

Dikush tjetër po në ‘X’ bëri pyetjen se çfarë kishte konsumuar Araghchi për drekë dhe nëse dikush kishte informacion për këtë.

Një tjetër i ri nga Islamabadi postoi në “X” se sonte do të flinte i qetë pasi Araghchi ndodhej në qytetin e tij.

Dikush propozi se Araghchi pas takimit duhet të zhvillonte një takim me fansat e tij nga Paksitani, para se të largohej.

Një tjetër tha se do të detyroheshin të merrnin masa drastike nëse atyre do t’u mohohej mundësia për të takuar Araghchin.

Ndërkohë që pati vetëm një krahasim të vogël midis negociatorëve nga të dyja palët, kur dikush pyeti se teksa JD Vance ndodhet në Pakistan, të gjithë po flasin për Araghchin.

Së fundmi, në një shfaqje të mikpritjes tradicionale islamabadiane, dikush sugjeroi që mysafiri të nxirrej në shtigjet e qeta të qytetit për ecje dhe t'i jepej pak kohë për të pushuar. "Ai ka kaluar shumë gjëra, i duhet pak ajër i pastër", tha një tjetër në ‘X’.

1 MUAJ ME PARE

Vijojnë negociatat me SHBA, Teherani i vendosur: Sido që të shkojnë, do qëndrojmë të fortë!

 

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë
Masoud Pezeshkian

 

Teksa bisedimet vijojnë, presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka publikuar një deklaratë ku thekson rolin e delegacionit iranian në mbrojtjen e interesave kombëtare.

Ai bëri të ditur se delegacioni i rangut të lartë, i cili ka mbërritur në Pakistan, do të angazhohet plotësisht në procesin negociues. Sipas tij, përfaqësuesit iranianë do të zhvillojnë bisedimet “me guxim” dhe me fokus të qartë në interesat e vendit.

Në deklaratën e tij, Pezeshkian nënvizoi gjithashtu se puna e qeverisë nuk do të ndalet pavarësisht zhvillimeve në negociata. Ai theksoi se shërbimi ndaj qytetarëve mbetet prioritet dhe se qeveria do të qëndrojë pranë popullit në çdo rrethanë.

"Delegacioni iranian i rangut të lartë që ka mbërritur në Pakistan është, me të gjitha fuqitë e tij, mbrojtësi i interesave të Iranit dhe, në këtë drejtim, do të negociojë me guxim.

Sidoqoftë, shërbimi ynë ndaj popullit nuk do të ndalet për asnjë moment dhe, cilido qoftë rezultati i negociatave, qeveria qëndron fort pranë popullit."-shprehet Pezeshkian.

Deklarata pasqyron qëndrimin zyrtar të Teheranit, duke ndarë qartë angazhimin diplomatik nga funksionimi i brendshëm i qeverisë.

 

1 MUAJ ME PARE

Negociatat SHBA-Iran, reagon kryeminsitri pakistanez: Të vendosur për të ndërmjetësuar

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë
Shehbaz Sharif

Pakistani do të vazhdojë të luajë rolin e ndërmjetësit në negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Njoftimi u bë nga zyra e kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif, pas një takimi me delegacionin iranian që mbërriti në Islamabad për bisedime me përfaqësuesit amerikanë, raportoi askanews.

Në deklaratën zyrtare thuhet: “Duke vlerësuar angazhimin e Iranit në bisedimet e Islamabadit, kryeministri rikonfirmoi vendosmërinë e sinqertë të Pakistanit për të vazhduar të luajë rolin e tij si ndërmjetës për të kontribuar në krijimin e një momentumi drejt rezultateve kuptimplota në interes të paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global”.

Negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit për zgjidhjen e konfliktit nisën sot në Islamabad. Një natë më parë, presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi se kishte rënë dakord për një armëpushim dypalësh dyjavor me Iranin.

Sipas burimeve, një marrëveshje e mundshme mund të mbështetet në një propozim iranian me dhjetë pika, i cili thuhet se ka marrë edhe miratimin e palës amerikane. Plani përfshin heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, njohjen e kontrollit të tij mbi Ngushticën e Hormuzit, të drejtën për pasurimin e uraniumit, si dhe garanci për mosagresion dhe ndërprerjen e armiqësive në të gjitha frontet, përfshirë operacionet izraelite kundër Hezbollahut.

Megjithatë, situata mbetet e tensionuar. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë shkelur tashmë tre pikat e fundit të propozimit, duke e bërë armëpushimin të paefektshëm.

1 MUAJ ME PARE

Bisedimet ballë për ballë janë kyçe, por suksesi varet nga këndvështrimi

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë
Foto ilustruese

Bisedimet ballë për ballë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të zhvilluara me ndërmjetësimin e Pakistanit, përbëjnë një moment historik në marrëdhëniet mes dy vendeve, sipas raportimeve nga burime ndërkombëtare. Këto konsiderohen si takimet e nivelit më të lartë mes Uashingtonit dhe Teheranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, duke sinjalizuar një hap të rëndësishëm drejt dialogut të drejtpërdrejtë pas dekadash tensionesh.

Sipas BBC, zhvillimi i bisedimeve trepalëshe dhe kontaktet direkte sugjerojnë se palët kanë identifikuar elemente konkrete në propozimet e tyre ku mund të arrihet përparim. Fakti që delegacionet amerikane dhe iraniane kanë pranuar të ulen në të njëjtën tryezë, ndërsa Pakistani ka ndërmjetësuar komunikimin dhe koordinimin, tregon një nivel të ri angazhimi diplomatik.

Megjithatë, mënyra se si do të përkufizohet suksesi i këtyre bisedimeve mbetet relative dhe varet nga këndvështrimi i aktorëve të ndryshëm. Konflikti në rajon ka pasur pasoja të gjera ndërkombëtare: çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm, infrastruktura energjetike në Lindjen e Mesme ka pësuar dëme të konsiderueshme dhe mijëra njerëz kanë humbur jetën.

Në këtë kontekst, një armëpushim i zgjatur dhe një marrëveshje e mundshme paqeje do të përbënin një rezultat të rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar, i cili kërkon stabilitet në rajon dhe në tregjet globale të energjisë.

Nga ana tjetër, qytetarët iranianë, të cilët kanë jetuar për vite me radhë nën ndikimin e sanksioneve ekonomike, mund të shohin në këto bisedime një mundësi për lehtësim ekonomik dhe përmirësim të kushteve të jetesës. Megjithatë, brenda vendit ekzistojnë edhe shqetësime për drejtimin politik.

Sipas dëshmive të disa qytetarëve iranianë, përfshirë edhe ata që janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të pasigurisë, ekziston frika se një udhëheqje e re mund të jetë më e ashpër se ajo e mëparshmja. Këto shqetësime ushqehen edhe nga kujtimet e ngjarjeve të fundit, përfshirë një goditje të ashpër në muajin janar, gjatë së cilës u raportua për mijëra viktima.

Në këtë situatë komplekse, bisedimet aktuale përfaqësojnë një hap të rëndësishëm diplomatik, por rezultati i tyre përfundimtar dhe ndikimi në terren mbeten ende të pasigurt.

 

1 MUAJ ME PARE

Përparojnë bisedimet SHBA-Iran, palët nisin negociatat ballë për ballë

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë

Bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë hyrë në një fazë të re, pasi palët kanë kaluar nga komunikimi indirekt në takime të drejtpërdrejta trepalëshe me ndërmjetësimin e Pakistanit.

Sipas burimeve qeveritare pakistaneze, të cituara nga BBC, aktualisht po zhvillohen bisedime ballë për ballë midis përfaqësuesve të Iranit, SHBA-së dhe Pakistanit. Më herët, dialogu ishte zhvilluar në mënyrë indirekte përmes ndërmjetësve pakistanezë. Kjo do të thotë se palët kanë rënë dakord dhe janë treguar të gatshëm për të diskutuar mbi pikat e propozuara nga palët.

Ky është një hap përpara në procesin diplomatik, duke pasur parasysh dallimet e thella dhe mungesën e besimit mes dy palëve në çështjet kyçe. Kalimi në takime të drejtpërdrejta shihet si një tregues i përmirësimit të klimës së negociatave.

Megjithatë mbetet për t’u parë nëse ky proces do të çojë në një armëpushim të zgjatur, një marrëveshje konkrete apo të paktën në vazhdimin e dialogut në të ardhmen. Në këtë kontekst, roli i Pakistanit si ndërmjetës vlerësohet si thelbësor në avancimin e bisedimeve.

 

1 MUAJ ME PARE

Irani hedh poshtë deklaratat e Trump, vendos 30-minuta afat për anijen amerikane në Hormuz!

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë
Foto ilustruese

Irani ka paralajmëruar se një anije ushtarake amerikane se do të sulmohej brenda 30 minutash nëse kalonte Ngushticën e Hormuzit, raportoi televizioni shtetëror iranian.

Sipas një zyrtari të lartë ushtarak iranian, anija u tërhoq pas këtij paralajmërimi. Autoritetet iraniane nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi veprimet konkrete të anijes apo vendndodhjen e saj.

Më herët, media amerikane Axios raportoi se disa anije të Marinës së Shteteve të Bashkuara kishin kaluar ngushticën në një operacion që nuk ishte i koordinuar me Iranin.

Ish-presidenti Donald Trump duket se e konfirmoi këtë informacion, duke deklaruar se ushtria amerikane kishte nisur operacione për “pastrimin” e ngushticës.

Megjithatë, autoritetet iraniane e kanë mohuar që ndonjë anije amerikane të ketë kaluar në atë zonë, duke theksuar mospërputhje mes deklarimeve të palëve.

1 MUAJ ME PARE

“SHBA-ja po pastron Ngushticën e Hormuzit”, Trump thumbon aleatët: Po bëjmë punën që disa vende s’kishin guxim ta bënin!

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë

Ai theksoi se SHBA-ja tani ka nisur procesin e pastrimit të Ngushticës së Hormuzit...

Teksa delegacionet e Iranit dhe SHBA-së po vijojnë bisedimet në Pakistan për arritjen e një marrëveshje paqeje, presidenti Donald Trump ka vijuar të flasë për fitore të luftës me anë të postimeve në rrjetin social “Truthsocial”.

Në një postim të fundit, Trump fillimisht ka kritikuar të gjitha mediat të cilat, sipas tij, shpërndajnë lajme të rreme kur ngrenë pretendime se Irani ka fituar luftën me SHBA-në. Trump thekson se kjo është një gënjeshtër e madhe dhe se SHBA-ja i ka shkatërruar të gjitha aftësitë Iranit, duke nisur nga marina, mbrojtja ajrore, radarët dhe fabrikat e raketave.

Trump pranoi se i vetmi kërcënim ende i mbetur nga Irani ishin minat e vendosur përgjat Ngushticës së Hormuzit, të cilat mund të rrezikojnë anijet që kalojnë përmes saj.

Mediat e lajmeve të rreme kanë humbur besueshmërinë totale, jo se kishin fare që në fillim. Për shkak të Sindromës së tyre masive të Çrregullimit Trump (ndonjëherë të referuar si TDS!), ata pëlqejnë të thonë se Irani po "fiton", kur, në fakt, të gjithë e dinë se ata po HUMBIN, dhe PO HUMBIN SHUMË! Marina e tyre është zhdukur, Forca e tyre Ajrore është zhdukur, aparati i tyre Kundërajror nuk ekziston, Radari është i vdekur, Fabrikat e tyre të Raketave dhe Dronëve janë zhdukur kryesisht së bashku me vetë Raketat dhe Dronët dhe, më e rëndësishmja, "Udhëheqësit" e tyre të hershëm nuk janë më me ne, lavdi Allahut!  E vetmja gjë që ata kanë është kërcënimi se një anije mund të "rrëzohet" në njërën nga minat e tyre detare, të cilat, meqë ra fjala, të 28 anijet e tyre të hedhjes së minave janë gjithashtu në fund të detit”, shkroi Trump.

Më tej, ai theksoi se SHBA-ja tani ka nisur procesin e pastrimit të Ngushticës së Hormuzit, duke sinjalizuar kështu se së shpejti ajo do të jetë e hapur për të gjitha llojet e anijeve. Trump shtoi se SHBA-ja po e bën këtë si nder ndaj vendeve si Kina, Japonia, Franca dhe Gjermania, të cilat sipas tij, nuk patën guximin ta bënin këtë punë.

Tani po fillojmë procesin e pastrimit të Ngushticës së Hormuzit si një nder për vendet në të gjithë botën, duke përfshirë Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut, Francën, Gjermaninë dhe shumë të tjera. Çuditërisht, ata nuk kanë guximin ose vullnetin për ta bërë vetë këtë punë. Megjithatë, është shumë interesante që anijet e zbrazëta që transportojnë naftë nga shumë vende po shkojnë të gjitha drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t'u MBARKUAR me naftë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje! Presidenti DONALD J. TRUMP”, përfundoi Trump.

Kujtojmë se Bisedimet e paqes për t'i dhënë fund luftës midis SHBA-së dhe Iranit janë duke u zhvilluar në Islamabad.

Ndërkohë që mediat ndërkombëtare kanë deklaruar se disa anije luftarake të Marinës Amerikane kanë kaluar sot Ngushticën e Hormuzit. Lëvizja nuk ishte e koordinuar me autoritetet iraniane, çka e bën atë një veprim të rëndësishëm simbolik dhe operativ në mes të tensioneve të larta pas armëpushimit të përkohshëm midis SHBA-së dhe Iranit.

1 MUAJ ME PARE

Bisedimet SHBA-Iran në Islamabad sipas formatit 2+1, zbulohen detajet

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë
Foto nga Islamabadi

Kanë nisur bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat po zhvillohen në një format tredimensional me Pakistanin në rolin e ndërmjetësit, sipas raportimeve të Reuters.

Takimi po mbahet në kushte jo plotësisht të qarta sa i përket mënyrës së komunikimit mes palëve, pasi nuk është konfirmuar nëse delegacionet ndodhen në të njëjtën sallë apo në ambiente të ndara, me ndërmjetësimin që realizohet përmes zyrtarëve pakistanezë.

Para nisjes së negociatave, pala iraniane vendosi dy kushte kryesore për arritjen e një marrëveshjeje: ndalimin e menjëhershëm të luftimeve në Liban dhe zhbllokimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit. Sipas Teheranit, këto elemente kanë qenë pjesë e një kuadri fillestar marrëveshjeje të arritur më herët gjatë javës.

Nga ana tjetër, Uashingtoni ka shfaqur një qasje më të rezervuar. Donald Trump është shprehur se Irani “nuk ka karta të forta negociuese”, duke theksuar se rihapja e Ngushticës së Hormuzit mbetet një prioritet i menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu ka nënvizuar se parandalimi i pajisjes së Iranit me armë bërthamore përbën “99% të çështjes”.

Sipas informacioneve, procesi i bisedimeve pritet të zhvillohet në disa faza. Fillimisht janë parashikuar takime të ndara të delegacioneve me ndërmjetësit pakistanezë, ndërsa në vijim mund të pasojnë negociata indirekte, ku palët komunikojnë përmes ndërmjetësve duke qëndruar në ambiente të ndara.

Një fazë e tretë, e mundshme vetëm në rast progresi, mund të çojë në bisedime të drejtpërdrejta mes delegacioneve, çka do të konsiderohej një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve dhe arritjes së një marrëveshjeje.

1 MUAJ ME PARE

Bisedimet SHBA-Iran japin efektet e para, anijet luftarake amerikane kalojnë Ngushticën e Hormuzit pa asnjë incident

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë

Bisedimet e paqes për t'i dhënë fund luftës midis SHBA-së dhe Iranit janë duke u zhvilluar në Islamabad.  Agjencia e lajmeve Reuters thotë se bisedimet janë trepalëshe,  gjë që sugjeron se ndërmjetësuesit pakistanezë po lëvizin midis dy palëve.

Edhe pse ende nuk ka ndonjë informacion se si po ecin bisedimet, shenjat e para pozitive të këtij takimi janë parë në terren, më saktë në Ngushticën e Hormuzit.

Mediat ndërkombëtare deklarojnë se disa anije luftarake të Marinës Amerikane kanë kaluar sot Ngushticën e Hormuzit. Lëvizja nuk ishte e koordinuar me autoritetet iraniane, çka e bën atë një veprim të rëndësishëm simbolik dhe operativ në mes të tensioneve të larta pas armëpushimit të përkohshëm midis SHBA-së dhe Iranit.

Sipas burimeve, besohet se është hera e parë që një anije amerikane kalon këtë rrugë ujore strategjike që nga fillimi i konfliktit në shkurt 2026, kur Irani mbylli efektivisht ngushticën duke kërcënuar anijet tregtare dhe duke kërkuar koordinim ose pagesa për kalimin.

Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më kritike të transportit global të naftës, rreth një e pesta e naftës botërore kalon prej saj. Gjatë konfliktit, trafiku tregtar u ul ndjeshëm në nivele minimale për shkak të frikës nga minat, sulmet me dronë dhe kërcënimet iraniane. Edhe pas armëpushimit të shpallur më 8 prill, lëvizja e anijeve ka mbetur e kufizuar, me Iranin që vazhdon të insistojë për kontroll mbi kalimet. Ky transit i anijeve amerikane shihet si një mesazh i qartë nga Uashingtoni për lirinë e navigacionit në ujërat ndërkombëtare dhe si një test praktik i sigurisë së ngushticës pas goditjeve të mëparshme amerikane ndaj flotës dhe infrastrukturës detare iraniane.

 

1 MUAJ ME PARE

Negociatat për paqe, Macron dhe Bin Salman kërkojnë respektim të plotë të armëpushimit!

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë

Presidenti francez Emmanuel Macron, ka zhvilluar bisedime me princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, lidhur me përpjekjet për armëpushim dhe stabilitet në rajon, në një moment kur sapo kanë nisur negociatat në Islamabad.

Macron njoftoi se të dy liderët ranë dakord të mbajnë kontakte të ngushta për të koordinuar qëndrimet dhe për të kontribuar në uljen e tensioneve. Ai theksoi mbështetjen e tij për respektimin e plotë të armëpushimit dhe zgjerimin e tij në rajon.

“Përsërita mbështetjen time për armëpushimin, i cili duhet të respektohet plotësisht dhe të shtrihet pa vonesë në Liban”, deklaroi Macron.

Sipas tij, një tjetër çështje kyçe e diskutuar ishte siguria në rrugët detare strategjike.

“Diskutuam nevojën për të rivendosur lundrimin plotësisht të lirë dhe të sigurt në Ngushticën e Hormuzit sa më shpejt të jetë e mundur", u shpreh presidenti francez.

Në prag të nisjes së bisedimeve në Islamabad, Macron theksoi rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme.

“Ne ramë dakord të qëndrojmë në kontakt të ngushtë me qëllim që të kontribuojmë në një ulje të tensioneve, lirinë e lundrimit dhe përfundimin e një marrëveshjeje për të siguruar paqe dhe siguri të qëndrueshme në rajon”, tha ai.

Deklaratat vijnë në një moment kritik për rajonin, ku tensionet mbeten të larta dhe liria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit konsiderohet thelbësore për tregtinë globale dhe sigurinë energjetike.

1 MUAJ ME PARE

Orë vendimtare, nisin bisedimet SHBA-Iran në Pakistan; Teherani vendos 4 kushte 

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë
Të dërguarit e SHBA në Pakistan

Irani vendos 4 kushte të panegociueshme për një marrëveshje: kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, pagesën e dëmshpërblimeve të luftës, lirimin e aseteve të ngrira në bankat e huaja dhe një armëpushim në rajon.

Në Pakistan kanë nisur bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, me qëllim uljen e tensioneve dhe përcaktimin e një rruge të mundshme drejt përfundimit të konfliktit mes dy vendeve. Negociatat po zhvillohen në një kuadër trepalësh, ku Pakistani luan rolin e ndërmjetësit.

Procesi i bisedimeve është strukturuar në disa faza. Fillimisht, delegacionet e SHBA-së dhe Iranit zhvillojnë takime të ndara me udhëheqjen pakistaneze. Në fazën e dytë parashikohen negociata indirekte mes dy palëve, ndërsa një fazë e tretë shtesë, e cilësuar si “+1”, do të aktivizohet vetëm nëse arrihet përparim i dukshëm.

Pak para se të ulen në bisedime të mirëfillta, delegacionet e SHBA-ve dhe Iranit  zhvilluan takime të ndara me ndërmjetësuesin, kryeministrin pakistanez. Irani vendos 4 kushte të panegociueshme për një marrëveshje: kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, pagesën e dëmshpërblimeve të luftës, lirimin e aseteve të ngrira në bankat e huaja dhe një armëpushim në rajon.

Një burim iranian deklaroi për Reuters se Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord për lirimin e aseteve të ngrira, por ky pretendim u mohua nga Shtëpia e Bardhë, e cila theksoi se nuk ka ende një marrëveshje konkrete.

Nga ana politike, zëvendëspresidenti i Iranit deklaroi se një marrëveshje është e mundur vetëm nëse Uashingtoni i qaset negociatave me parimin “Amerika e Para”. Ai paralajmëroi se një qasje e bazuar në “Izraeli i Para” do të çonte në bllokim të procesit.

Në Uashington, Donald Trump mbajti një qëndrim të kujdesshëm, duke deklaruar se Irani “nuk ka karta të forta negociuese”. Ai theksoi se rihapja e Ngushticës së Hormuzit mbetet një prioritet i menjëhershëm për SHBA-në, ndërsa nënvizoi se parandalimi i Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore përbën “99% të çështjes”.

Në të njëjtën kohë, burime iraniane konfirmuan se udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, po rikuperohet nga plagë të rënda në fytyrë dhe këmbë, të marra gjatë një sulmi ajror në fillim të konfliktit, ku humbi jetën babai i tij.

Zhvillimet në Pakistan priten të përcaktojnë nëse ekziston një bazë reale për de-përshkallëzim të tensioneve, ndërsa qëndrimet e kujdesshme nga të dyja palët tregojnë se rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e pasigurt.


 

1 MUAJ ME PARE

Pak orë para bisedimeve vendimtare, çfarë po ndodh me kalimin e anijeve në Hormuz

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë

Disa anije kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit gjatë fundjavës, në një kohë kur pritet nisja e bisedimeve për paqe midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Islamabad. Të dhënat e gjurmimit detar tregojnë për një aktivitet të kufizuar, shumë më të ulët se niveli i zakonshëm i trafikut në këtë rrugë strategjike.

Sipas platformës MarineTraffic, një numër i vogël anijesh kryesisht cisterna kineze dhe transportues mallrash me shumicë, kaluan nëpër ngushticë të shtunën. Një anije kineze për mallra të thata kishte hyrë gjatë natës, pasi ishte nisur nga porti irakian Umm Qasr rreth një muaj më parë.

Gjithashtu, dy cisterna kineze me naftë të papërpunuar, secila me kapacitet rreth 300 mijë ton, kaluan në orët e vona të së shtunës, duke lundruar pranë brigjeve iraniane. Ndërkohë, një cisternë për gaz natyror të lëngshëm me flamur të Botsvanës, e identifikuar si “Nidi”, arriti të hyjë në Gjirin e Omanit në përpjekjen e dytë, pasi ishte detyruar të tërhiqej një ditë më parë.

Të gjithë sytë nga Islamabadi, SHBA-Iran negociata ballë

Megjithatë, trafiku mbetet dukshëm i reduktuar. Nga rreth 100 anije që zakonisht kalojnë çdo ditë në këtë korridor jetik, të dhënat tregojnë se vetëm dy transportues të mëdhenj kaluan të premten.

Në planin politik, tensionet vazhdojnë të jenë të pranishme. Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi publikisht Iranin, duke e akuzuar për lejimin e kalimit të naftës në mënyrë të padrejtë përmes ngushticës. “Kjo nuk është marrëveshja që kemi", shkroi ai në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, agjencia iraniane Tasnim raportoi nga Islamabadi se Teherani ka ruajtur kushtet aktuale të tranzitit detar, duke i cilësuar si reagim ndaj asaj që e konsideron shkelje të marrëveshjes së armëpushimit nga SHBA-të dhe aleatët e saj. Sipas Iranit, kalimi i anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet i kushtëzuar nga miratimi i autoriteteve të tij.

iran

Lini një Përgjigje