Zbardhen detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Kutalli të bashkisë Dimal, ku një efektiv policie mbeti i plagosur gjatë shoqërimit të një 45-vjeçari.
Gazetarja Xhensila Kodra tregoi se Zamir Skënderi po transferohej nga Komisariati i Fierit drejt Kuçovës, kur dyshohet se i ka marrë armën e shërbimit efektivit Arsen Toska, 20 vjeç, duke e plagosur dhe më pas ka tentuar të arratiset.
Sipas gazetares, hetimet paraprake kanë evidentuar dy problematika në mënyrën e shoqërimit të të dyshuarit.
“Dy nga gabimet e bëra nga policia është fakti se nuk i kanë vendosur prangat në momentin që po shoqërohej nga Fieri për në Kuçovë”, deklaroi Kodra për "News 24".
Ajo shtoi se pas incidentit, 45-vjeçari ka dalë nga automjeti dhe ka tentuar të largohet nga vendngjarja.
“Skënderi doli nga makina dhe më pas edhe ka tentuar që të arratisej”, u shpreh gazetarja.
Sipas raportimeve, ekzistojnë dyshime se i shoqëruari ishte nën efektin e lëndëve narkotike.
“Dyshohet se ai ishte nën efektin e lëndëve narkotike, konkretisht kokainë, duke shtuar se gjatë kontrollit atij i është gjetur edhe një sasi kokaine e fshehur në trup”, tha Kodra.
Një tjetër problematikë, sipas saj, lidhet me faktin që në pjesën e pasme të fugonit ndodhej vetëm një efektiv policie.
“Gabimi i dytë qëndron në faktin që në pjesën e pasme të fugonit ka qëndruar vetëm një efektiv, dhe jo dy siç duhet të jetë”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, argumenti i përdorur nga policia lidhej me nivelin e ulët të rrezikshmërisë së personit të shoqëruar.
“Argumenti i përdorur nga policia ka qenë se duke pasur parasysh veprën penale për të cilën ai po shoqërohej, ‘Prishje të qetësisë publike’, nuk kishte rrezikshmëri”, tha gazetarja.
Pas tentativës për arratisje, Zamir Skënderi është neutralizuar dhe arrestuar nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në automjet, ndërsa polici i plagosur u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Beratit dhe më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Lini një Përgjigje