Zbardhen detaje tronditëse lidhur me historinë e Xhuana Nikollit, e reja që i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë, pas dhunës që dyshohet se kishte përjetuar nga ish-bashkëshorti i saj, Eraldo.
Sipas rrëfimit të familjarëve për "Në Shënjestër", Xhuana kishte vendosur të jetonte me qira në Tiranë së bashku me një shoqe, pasi ishte larguar nga qyteti i saj në muajin nëntor. Mbrëmjen mes 9 dhe 10 marsit, ajo konsumoi një tabletë fotoksinë në apartamentin ku jetonte.
E para që e gjeti në gjendje të rëndë ishte pronarja e shtëpisë, pasi ishte njoftuar nga motra e Xhuanës, e cila nuk po arrinte të lidhej me të.
“Motra në Tiranë ka marrë në telefon Xhuanën por ajo nuk është përgjigjur. Pastaj ka shkuar e zonja e shtëpisë dhe e ka parë në atë gjendje. Kanë marrë ambulancën, mjeku tha që ka ardhur me puls shumë të ulët…”, rrëfeu Marjana, motra e viktimës.
Edhe pse u transportua me urgjencë drejt Spitalit Universitar “Nënë Tereza”, e reja nuk mundi t’i mbijetojë helmimit të rëndë.
Familjarët tregojnë se Xhuana kishte lënë një letër para aktit ekstrem, ku fliste për dhunën që kishte përjetuar.
“Mam, bab, nuk ju kam koritur. Nuk kam bërë asgjë për ta merituar këtë. Ai më ka rrahur saqë nuk e duroj dot më këtë lloj dhune që më ka bërë. Ju dua shumë, mos qani”, kishte shkruar ajo në letrën e lamtumirës.
Sipas motrës së saj, ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi shenja dhune në trupin e Xhuanës.
“Te pjesa e fytyrës, e trupit, xhupi i saj i grisur. Ne e dinim që kishte vetëm dhunë psikologjike, presion të tipit ‘ti nuk vlen, nuk do kesh kurrë një jetë të qetë pa mua’. Jo dhunë fizike. Dhunë fizike vetëm atë natë që Xhuana dha jetën”, tha ajo, duke shtuar se deri atë natë familja kishte dijeni vetëm për dhunë psikologjike dhe presion të vazhdueshëm.
Sipas familjarëve, letra e lënë nga Xhuana lë të kuptohet se ajo ishte përballur jo vetëm me dhunë fizike, por edhe me presion të vazhdueshëm psikologjik, që mund ta ketë çuar drejt vendimit fatal.
Lini një Përgjigje