TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Maj 2026, 18:48

Gjykata e Lartë vulos dënimin e Laert Haxhiut, burg përjetë për rivalin e Aldo Bares

Shkruar nga Pamfleti
Gjykata e Lartë vulos dënimin e Laert Haxhiut, burg përjetë
Laert Haxhiu

Me vendimin e Gjykatës së Lartë, Laert Haxhiu ka ezauruar të gjitha mundësitë e ankimit në shkallët e gjyqësorit, duke lënë përfundimisht në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm.

Gjykata e Lartë ka vulosur përfundimisht dënimin me burgim të përjetshëm për Laert Haxhiun. Kështu, gjykata ka rrëzuar rekursin e tij për prishjen e vendimit të Apelit të Posaçëm lidhur me “Masakrën e Lushnjës”, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjës”.

Shkalla e tretë e gjyqësorit refuzoi kërkesën e Haxhiut, duke vulosur kështu dënimin maksimal ndaj tij. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.

Laert Haxhiu është shpallur fajtor për ngjarjen e rëndë të ndodhur në vitin 2017 në Lushnjë, ku humbën jetën Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa mbetën të plagosur edhe Bujar Turku dhe Marius Xhepexhiu.

Për të njëjtën çështje janë dënuar me burgim të përjetshëm edhe Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi.

Të dënuarit akuzohen për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave”, “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Kujtojmë se, në argumentet e parashtruara Gjykatës së Lartë, avokati i Haxhiut, Detar Hysi, renditi faktet se gjykata ka kaluar kompetencat, vendimi nuk është në përputhje me ligjin dhe se me këtë vendimmarrje po tentohet të hapet një sagë vrasjesh në qytetin e Lushnjës, duke cenuar sigurinë kombëtare të jetës dhe në vendin tonë.

Po ashtu, ai shtoi se një nga anëtarët e trupit gjykues të apelit të GJKKO-së ka votuar për pafajësi për masakrën. 

Kush është Laert Haxhiu?

Laert Haxhiu konsiderohet një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, i lidhur kryesisht me përplasjet kriminale në qytetin e Lushnjës. Ai u bë i njohur për drejtësinë dhe opinionin publik pas ngjarjes së rëndë të vitit 2017, e njohur si “Masakra e Lushnjës”, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën dy persona të tjerë.

Haxhiu është akuzuar nga Prokuroria si drejtues i një grupi kriminal të përfshirë në vrasje, atentate dhe trafik armësh. Për një periudhë të gjatë ai ishte në kërkim ndërkombëtar, ndërsa u arrestua më vonë në Greqi dhe u ekstradua drejt Shqipërisë.

Emri i tij lidhet shpesh edhe me konfliktet mes grupeve kriminale në Lushnjë, veçanërisht me njerëzit e afërt të Aldo Bares, i njohur si kreu i “Bandës së Lushnjës”, një nga organizatat kriminale më famëkeqe në vend gjatë viteve 1990-2000.

Sipas hetimeve dhe raportimeve mediatike ndër vite, Laert Haxhiu konsiderohej rival i grupit të Aldo Bares dhe i personave të lidhur me të. Konfliktet mes palëve dyshohet se kanë sjellë një seri atentatesh dhe hakmarrjesh në qytetin e Lushnjës.

Aldo Bare, emri i vërtetë i të cilit është Alfred Shkurti, u dënua me burgim të përjetshëm për disa vrasje dhe drejtimin e organizatës kriminale që terrorizoi Lushnjën për vite me radhë. Grupi i tij kishte ndikim të madh në aktivitetet kriminale dhe përplasjet me rivalët kanë prodhuar një histori të gjatë dhune në zonë.

Ndërkohë, autoritetet shqiptare e kanë konsideruar Laert Haxhiun si pjesë të brezit të ri të grupeve kriminale që dolën pas dobësimit të strukturës së vjetër të “Bandës së Lushnjës”.

Armiqësia me Aldo Baren

Laert Haxhiu u rrit mes konflikteve të ashpra kriminale që përfshinë Lushnjën ndër vite. Ai ishte ende fëmijë kur banda e Aldo Bares dyshohet se i dogji banesën dhe i vrau familjarë të afërt, ngjarje që, sipas hetimeve dhe raportimeve mediatike, ndikuan në krijimin e ndjenjës së hakmarrjes ndaj grupit rival. Në të njëjtin konflikt përfshihej edhe Orges Bilbili, i cili më vonë u konsiderua bashkëpunëtor i afërt i Haxhiut.

Megjithëse pa arsimim të lartë, Laert Haxhiu u bë një emër i njohur për drejtësinë shqiptare për shkak të përfshirjes në ngjarje të rënda kriminale. Ai ishte vetëm 18 vjeç kur u akuzua për vrasjen e Gerti Lalës, i cili u sulmua me thikë dhe më pas u qëllua tre herë me armë zjarri pranë hyrjes së pallatit ku banonte. Për këtë krim u dyshua se mori pjesë edhe Orges Bilbili.

Identifikimi i autorëve u bë nga nëna e viktimës, e cila i njohu si personat që i vranë të birin. Laert Haxhiu u shpall fajtor për vrasjen dhe u lirua nga burgu në vitin 2014.

Vetëm tetë muaj pas lirimit, ai u arrestua sërish në vitin 2015 për trafik droge. Sipas policisë, Haxhiu tentoi t’i shpëtonte arrestimit duke u hedhur nga një lartësi prej disa metrash, çka i shkaktoi thyerje në këmbë. Në momentin e ndalimit, ai deklaroi para efektivëve se ishte larguar pasi kishte menduar se po ndiqej nga njerëz të lidhur me Aldo Baren.

Autoritetet dyshonin se Haxhiu, përmes një linje autobusësh me Greqinë, ishte i përfshirë edhe në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gjatë arrestimit iu sekuestruan rreth 1.2 kilogram kokainë, por ai u dënua me 17 muaj e 10 ditë burg.

gjykata e lartë laert haxhiu masakra e lushnjes orges bilbili

1 Komente

  1. T
    Tony

    Pse na e dhisni kohen më keta minj të vegjel. Merruni më minjte e medhenj të kanaleve. Janë minjte e medhenj që kane krijuar keta spurdhjake.

    Lini një Përgjigje