
Gjatë ndërhyrjes u plagos Leonard Dema, i dënuar në Itali për tentativë vrasjeje, ndërsa u arrestua edhe 28-vjeçari Amadeo Fufi.
Një operacion i Policisë në Mamurras është shoqëruar me tension dhe shkëmbim zjarri, pasi dy persona kanë tentuar t’u rrezikojnë jetën efektivëve të policisë gjatë ndërhyrjes për arrestimin e tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, objektiv i operacionit ishte Leonard Dema, 23 vjeç, i lindur në Mamurras, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me 7 vite burg për tentativë vrasjeje.
Policia bën me dije se, pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, u sigurua informacion për vendndodhjen e 23-vjeçarit. Operacioni për kapjen e tij u zhvillua në një karburant në aksin “Mamurras–Laç”.
Në momentin e ndërhyrjes së policisë, Leonard Dema, i cili lëvizte me automjet së bashku me shtetasin A.F., 28 vjeç, dyshohet se ka tentuar të përplasë efektivët me automjet, duke u rrezikuar jetën. Po sipas policisë, personi që e shoqëronte iu ka drejtuar armën e zjarrit punonjësve të policisë.
Në kushtet e vetëmbrojtjes, efektivët kanë ndërhyrë për neutralizimin e tyre, ndërsa gjatë operacionit është plagosur Leonard Dema. Ai është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, policia ka arrestuar në flagrancë edhe shtetasin Amadeo Fufi, i cili shoqëronte të kërkuarin. Gjatë kontrollit është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë që ai posedonte.
"Në vijim të operacioneve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të realizuara pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve operacionale me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen e shtetasve në kërkim, është administruar informacion për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim L.D, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos, për tentativë vrasjeje.
Gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit, në momentin e ndërhyrjes, në një karburant në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, 23-vjeçari, që shoqërohej nga shtetasi A. F, dhe lëvizte me automjet, sapo ka konstatuar efektivët, ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke u rrezikuar jetën, si dhe personi shoqërues iu ka drejtuar armën e zjarrit pistoletë, shërbimeve të Policisë.
Shërbimet e Policisë, në kushtet e vetëmbrojtjes, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tyre, kanë plagosur shtetasin Leonard Dema, i cili është në kujdesin e mjekëve.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit A. F., 28 vjeç, që shoqëronte shtetasin në kërkim. Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë. Vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me AMP-në, dhe në drejtimin e Prokurorisë"-njofton policia.
Lini një Përgjigje