“Ishte një yll që lindi në dashuri, por u fik në dhunë”. Kështu e përshkruan motra e Xhuana Nikollit të renë që i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë, pas dhunës që dyshohet se kishte përjetuar nga ish-bashkëshorti i saj, Eraldo Fizi.
Në rrëfimin e saj për emisionin “Në Shënjestër”, motra Marjana foli mes lotësh për Xhuanën, duke treguar se ajo ishte një vajzë e ndjeshme dhe shumë e lidhur emocionalisht me partnerin e saj.
“Vajzë e ëmbël, e qeshur, shumë zemërgjerë, një vajzë që prekej nga fjalët, që kishte një dashuri të madhe për ish-bashkëshortin. Dhe kjo dashuri e mbante, sikur jetonte për të. Por nuk iu kthye kurrë ajo dashuri. Ishte një yll që lindi në dashuri por u fik në dhunë”, u shpreh ajo.
Historia e Xhuanës mbetet ende e mbushur me mistere dhe pikëpyetje. Ajo dhe Eraldo Fizi kishin nisur lidhjen që në gjimnaz dhe u martuan më 9 qershor 2025, por martesa zgjati vetëm tre muaj.
Në muajin nëntor, Xhuana vendosi të largohej nga banesa bashkëshortore në Lezhë dhe të zhvendosej në Tiranë, fillimisht te motra e saj dhe më pas në një apartament me qira, të cilin e ndante me një shoqe.
Sipas familjarëve, ende nuk dihet qartë çfarë ka ndodhur në orët e fundit të jetës së saj dhe kush ishte i pranishëm në banesë natën kur ajo vendosi t’i japë fund jetës.
“Motra ime dhe mami aty kemi pas kontaktin e fundit me të që ka dhënë deklaratën për ngjarjen e Xhuanës. Tani vetëm ia kemi lënë autoriteteve në dorë që ta marrin në pyetje sërish, si ka ndodh ngjarja, të ballafaqohen mendimet”, rrëfen Marjana.
Një tjetër mister për hetuesit mbetet mënyra se si Xhuana siguroi fotoksinën. Familjarët ngrenë dyshime nëse ajo e bleu vetë apo nëse mund të jetë detyruar ta konsumojë.
“Ne nuk e dimë ku e ka blerë, kush e ka marrë. Këtë pyetje kam bërë dhe unë dhe e kam shtruar. Një vajzë e re t’i shitet një fotoksinë. Të ketë kaq shumë lehtësi të shitet pa asnjë lloj certifikimi”, tha motra e saj.
Ajo shtoi se substanca të tilla duhet të shiten vetëm me autorizime të posaçme.
“Duhet të jenë persona të autorizuar që ta blejnë dhe që kanë një biznes të madh sepse përdoret në uzina, në fabrika. Duhet të ketë një licencë ku duhet ta çojë, si duhet ta përdorë, jo njerëz të thjeshtë”, u shpreh Marjana.
Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se shkaku i vdekjes ishte helmimi nga fotoksina, ndërsa në trupin e saj u konstatuan edhe shenja dhune.
Mes dhimbjes, familja kërkon arrestimin e Eraldo Fizit, i cili është shpallur në kërkim që prej 10 marsit për “Dhunë në familje” dhe “Shkaktim të vetëvrasjes”.
“Pse e dhunove motrën tonë. Pse ia bëre këtë gjë. Ajo nuk e meritonte atë vuajtje, nuk e meritonte atë dhunë barbare. Ajo meritonte të jetonte, të ishte e lumtur”, deklaroi motra e saj.
Familjarët thonë se humbja e Xhuanës ka lënë një plagë që nuk do të shërohet kurrë.
“Ne flejmë me fotot e Xhuanës. Prindërit e mi nuk rrinë të qetë nga idea pse ia morën jetën vajzës së tyre”, rrëfeu Marjana.
Ajo shtoi se Xhuana ishte rritur në një familje ku dhuna nuk kishte ekzistuar kurrë.
“Në atë moshë që ishte motra ime ajo nuk ishte rritur kurrë në asnjë lloj dhune në familjen tonë. Kemi pasur gjithmonë harmoni, respekt”, tha ajo.
Në fund të rrëfimit të saj, motra e Xhuanës i bëri apel institucioneve që autori i dyshuar të arrestohet dhe të përballet me drejtësinë.
“Do të doja një ndihmë nga institucionet, që Eraldo Fizi të marrë dënimin e merituar. Uroj me gjithë zemër që drejtësia të funksionojë për të gjitha femrat, për nënat, për gratë”, u shpreh ajo.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt ish-bashkëshortit të motrës, Marjana kishte edhe një mesazh të fundit: “Eraldo, kudo që të fshihesh, një ditë do dalësh dhe do paguash për atë dhunë fizike”.
Lini një Përgjigje