
Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Memaliajt, në Tepelenë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri humbi jetën 30-vjeçari Endri Goxhaj dhe mbeti i plagosur një tjetër person.
Sipas të dhënave paraprake, autor i dyshuar është Donald Nelaj, i cili rezulton një emër i njohur për organet e drejtësisë për shkak të precedentëve të mëparshëm penalë.
Hetimet tregojnë se Nelaj është përfshirë që në moshë të re në veprimtari kriminale, kryesisht në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Në vitin 2018, gjatë një operacioni të Policisë së Sarandës, u sekuestruan mbi 32 kilogramë kanabis dhe një automjet tip “BMW X5”. Në atë kohë, ai dyshohej se vepronte në bashkëpunim me persona të tjerë si pjesë e një grupi kriminal.
Po ashtu, nga hetimet e atëhershme rezulton se Nelaj dhe një bashkëpunëtor i tij kishin kërcënuar me jetë një person, i cili dyshohej se kishte ndërmjetësuar kontaktet e tyre me anëtarë të tjerë të grupit nga Tepelena.
Sipas të dhënave zyrtare, Donald Nelaj është dënuar në vitin 2018 për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi kriminal.
Ngjarja në Memaliaj po hetohet, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se vrasja nuk ka qenë një akt i çastit, por një krim i planifikuar. Mësohet se viktima është ndjekur në mënyrë të vazhdueshme në rutinën e tij të përditshme, deri në momentin e ekzekutimit.
Burime pranë hetuesve bëjnë me dije se po analizohet me imtësi e gjithë dinamika e ngjarjes, ndërsa deri në këtë fazë nuk ka ende një version përfundimtar mbi mënyrën e organizimit të saj. Në kuadër të hetimeve, janë marrë në pyetje disa persona, dëshmitë e të cilëve mbahen konfidenciale për shkak të procesit hetimor.
Lini një Përgjigje