
Policia sekuestron drogë, armë dhe para nga operacioni antidrogë në Tiranë. Ndërkohë, nga 36 urdhër-arreste ekzekutohen 15 prej tyre, ndërsa në kërkim janë shpallur 16 persona.
Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka finalizuar operacionin e koduar “Final”, duke goditur disa grupe kriminale të përfshira në shitjen e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, janë identifikuar gjithsej 36 persona, të cilët operonin si individë apo në grupe të strukturuara, duke shpërndarë lloje të ndryshme droge.
Në kuadër të operacionit, janë ekzekutuar 15 masa sigurie “arrest me burg” ndaj personave të dyshuar si pjesë aktive e këtyre grupeve. Ndërkohë, autoritetet bëjnë me dije se vijon puna për kapjen e 16 personave të tjerë të shpallur në kërkim.
Konkretisht, në pranga janë vënë shtetasit: Arsen Shahollari, Ilir Baruti, Visar Alla, Xhemal Gjoka (Boja), Jurgent Ibrahimi, Ermond Osmani, Aljon Çezma, Abdulla Gega, Klevin Nika, Albi Çela, Saimir Duraj, Edison Mera, Eris Hoxha, Emra Idrizi dhe Glerjan Hoxhalli.
Gjatë fazës hetimore, janë arrestuar edhe 5 shtetas të tjerë, të dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet kriminal.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesa, policia ka sekuestruar: 60 kg e 300 gramë Cannabis Sativa, 2 kg e 50 gramë kokainë, 4 armë (1 pistoletë dhe 3 armë gjahu), 121 mijë euro, 60 milionë lekë dhe 5000 paundë. 14 telefona celularë, peshore elektronike dhe 3 automjete.
Autoritetet theksojnë se operacioni është pjesë e një hetimi më të gjerë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
"Finalizohet pas 3 muajsh hetime, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Final”.
Goditen disa grupe që shitnin lëndë narkotike.
Identifikohen 36 shtetas, pjesëtarë të grupeve, të cilët, të veçuar ose në grupe, shitnin lëndë narkotike, të llojeve të ndryshme.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 15 pjesëtarë të grupit. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 16 të tjerëve.
5 shtetas janë vënë në pranga gjatë periudhës hetimore.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 60 kg e 300 gramë Cannabis Sativa, 2 kg e 50 gramë Kokainë, 4 armë (1 armë zjarri pistoletë dhe 3 armë gjahu), 121 000 euro, 60 milionë lekë, 5000 paundë, celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Si rezultat i punës hetimore intensive të kryer gjatë 3 muajve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është finalizuar operacioni i koduar “Final”, për goditjen e disa grupeve që shitnin lëndë narkotike.
Gjatë operacionit, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 15 shtetas që kryenin këtë veprimtari kriminale, konkretisht:
-A. Sh., 31 vjeç; I. B., 66 vjeç; V. A., 29 vjeç; Xh. Gj(B)., 26 vjeç; J. I., 28 vjeç; E. O., 47 vjeç; A. Ç., 42 vjeç; A. G., 41 vjeç; K. N., 26 vjeç; A. C., 21 vjeç; S. D., 32 vjeç; E. M., 29 vjeç; E. H., 25 vjeç; E. I., 30 vjeç; G. H., 37 vjeç.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrolleve në banesat e tyre, gjatë periudhës hetimoe dhe gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë, janë gjetur dhe sekuestruar: 60 kg e 300 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 2 kg e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, 4 armë (1 armë zjarri pistoletë dhe 3 armë gjahu), 121 000 euro, 60 milionë lekë, 5000 paundë, 14 celularë, peshore elektronike dhe 3 automjete.
Gjatë periudhës hetimore janë identifikuar dhe arrestuar shtetasit: A. M., E. K., A. K., E. M. dhe I. C..
16 shtetasit e tjerë të identifikuar nga hetimet, si pjesë e këtyre grupeve, janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje