Publikohet fotoja e 30-vjeçarit Endri Goxhaj, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Memaliaj. Ngjarja e rëndë ndodhi në qendër të qytetit, pas një konflikti të çastit mes viktimës dhe shtetasit Donald Nela.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja mes tyre ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit nga autori i dyshuar, duke i shkaktuar vdekjen fatale 30-vjeçarit.
Gjatë incidentit ka mbetur i plagosur edhe Darjo Nela, vëllai i autorit të dyshuar, i cili po merr ndihmë mjekësore. Autori Donald Nela është larguar nga vendi i krimit me automjet, ndërsa forcat e policisë janë vënë në ndjekje të tij.
Menjëherë pas ngjarjes, forcat e policisë kanë mbërritur në vendin e krimit dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa po punohet për kapjen e autorit. Policia ka reaguar zyrtarisht duke dhënë detaje paraprake mbi dinamikën e ngjarjes.
"Rreth orës 20:50, në Memaliaj, dyshohet se pas një konflikti, shtetasi D. N., 29 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin E. G., 30 vjeç, i cili ka humbur jetën rrugës për në spital.
I plagosur, në rrethana ende të paqarta, ka mbetur edhe vëllai i autorit të dyshuar, shtetasi D. N., 25 vjeç, jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar, pas ngjarjes, është larguar me automjet. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje