Autoritetet në Mal të Zi kanë arrestuar autorin e vrasjes së 3-fishtë të ndodhur në Podgoricë.
Sipas Drejtorisë së Policisë, Vehad Murić nga Rozhaja u lokalizua dhe u arrestua pas një operacioni të gjerë dhe të koordinuar mes njësive të sigurisë në veri dhe në qendër të vendit. Aksioni u zhvillua në zonën urbane të Rozhajës.
Ai kërkohej si i dyshuar për vrasjen e vëllezërve shqiptarë Denis Hoti dhe Nezrin Hoti, si dhe për vrasjen e Kenan Miraljemović 56 vjeç.
“Oficerët e policisë të Drejtorisë së Policisë së Qendrës Rajonale të Sigurisë ‘Veri’, me mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me oficerët e Qendrës Rajonale të Sigurisë ‘Qendra’, pas kryerjes së aktiviteteve të gjera operative dhe veprimeve taktike të ekzekutuara me saktësi, lokalizuan VM (25) nga Rozhaja, të dyshuar për veprën penale të vrasjes së rëndë, në një zonë të hapur në qendër të qytetit të Rozhajës, dhe e privuan nga liria, për të cilën u njoftua prokurori i shtetit në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë”, njoftoi policia.
Nga të dhënat paraprake të hetimit rezulton se krimi ka ndodhur gjatë natës, në një apartament të marrë me qira në Podgoricë, ku viktimat dhe i dyshuari jetonin përkohësisht për shkak të punës në një kantier ndërtimi.
Burime policore bëjnë me dije se ngjarja nuk lidhet me përplasje mes grupeve kriminale, por dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një konflikti personal mes palëve. Hetimet paraprake sugjerojnë se vrasja mund të jetë kryer me armë të ftohtë. Pas ngjarjes, i dyshuari dyshohet se është larguar drejt Rozhajës, ku sipas informacioneve të para ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij në banesën familjare.
Lini një Përgjigje